E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hitleri, “shpikësi” i pishtarit olimpik

Fyhreri, adhurues i Zeusit, dëshironte të promovonte supermacinë e racës ariane. Edhe logoja e Lojërave me pesë rrathët olimpikë kanë një lidhje të qartë naziste

Dash Frashëri

Emblema më e dashur e Lojërave moderne Olimpike i dedikohet as më pak dhe as më shumë, por një të kaluare të errët, Lojërave të Berlinit 1936, kur Hitleri dhe makina e tij propagandistike e shndërroi atë në simbolin më popullor të botës. Pohimi vjen nga një shkrim i botuar nga agjencia më e madhe e lajmeve në botë, Associated Press, të publikuar më 13 gusht 2004, me rastin e Lojërave Olimpike “Athina 2004”. Pishtari përshkoi 10 qytete në shtatë shtete: Olmpia – Athinë – Thesalonik (Greqi) – Sofja (Bullgari) – Beograd (Jugosllavi) – Budapest (Hungari) – Vjenë (Austri) – Pragë (Çekosllovaki) – Drezden – Berlin (Gjermani).
CEREMONI MADHËSHTORE
Diktatori nazist, me influencën e tij direkt arriti të organizojë një ceremoni madhështore me mbërritjen e flakës në stadiumin “Olimpik” të Berlinit për të celebruar “Rajhun e Tretë”. Makina e stërmadhe e propagandës naziste, një nga më efikaset në botë të asaj kohe, popullarizoi edhe pesë radhët e ndërfutur si simbol të Lojërave. Të dyja, si pishtari, ashtu edhe logoja, janë të njohura si simbolet e Lojërave Olimpike. Komiteti Organizator gjerman ishte i pari që organizoi një koreografi gjatë ceremonisë, e cila tani kulmon me shfaqje tradicionale dhe postmoderne dhe që mahnit miliarda shikues në të gjithë botën. Atëherë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk ishte i vetëdijshëm për atë që po ndërtonte “truri” i Hitlerit.
ADHURUES I ZEUSIT
Ironikisht, duke iu rikthyer origjinës së tij, vrapimi i pishtarit u bë simbol i vëllazërisë. Sot qëndron si një kulm i ceremonive madhështore të Lojërave Olimpike. Ndryshe nga sot, kur pishtari udhëton përmes disa qyteteve, tradita antike greke ishte e ndryshme. Lojërat Olimpike hapeshin me fjalë dhe jo me flakë, duke përdorur tellallë dhe jo flakëmbajtës, të cilët vraponin nëpër rrugë. Tradita moderne e flakës që mbetet e ndezur derisa mbërrin në stadium e përfundojnë Lojërat i takon sërish kohës së Hitlerit dhe vitit 1936, kur një vrapim 12-ditor parapriu edhe hapjen e tyre. Hitleri, i cili admironte fuqinë imagjinare të perëndive greke si Zeusi, dëshironte që lojërat të promovonin bindjen e tij për supermacinë e racës Ariane. Ceremonia është memorizuar në filmin e Leni Riefenstahl, “Olimpia”, ku theksohet fakti që Hitleri me lojën e pishtarit dëshironte të jepte një nuancë mitike dhe joshje Lojërave Olimpike, të cilat paraprinë edhe Luftën e Dytë Botërore.
SHPIKËSI I PISHTARIT
Në sytë e diktatorit pishtari simbolizonte perfeksionin dhe fitoren e kombit gjerman. Fatmirësisht ai nuk e arriti këtë. Vrapuesi me ngjyrë amerikan dhe kërcyesi së gjati, Xhes Ouens, bëri epokë duke fituar katër medalje të arta në Berlin. Historiani amerikan, Devid Jund, tregon se pishtari u shpik nga Karl Diem, gjermani që caktoi Hitleri në krye të Komitetit Organizator të Lojërave. Diem kishte planifikuar edhe Lojërat e vitit 1916, po në Berlin, por ato u anuluan për shkak të Luftës së Parë Botërore. “Hitleri tregoi një interesim të konsiderueshëm personal dhe hodhi fonde të jashtëzakonshme për promovimin e Lojërave”, - thotë një historian tjetër, Perrot. “Makina naziste e propagandës i bëri një mbulim të jashtëzakonshëm udhëtimit të pishtarit, duke bërë raportime radiofonike në çdo hap të udhëtimit të tij, duke i mbushur njëkohësisht Lojërat me postera, në imazhet e të cilave ishin ikonografi të atletëve antikë grekë”.
RRATHËT OLIMPIKË
Edhe rrathët e Lojërave Olimpike, të njohura botërisht si simboli i Olimpiadës, qysh nga debutimi i logos në vitin 1920 në Antverp të Belgjikës, kanë gjithashtu një lidhje të qartë naziste.
Ato u dezinjuan në vitin 1913 nga baroni francez Pierre de Coubertin, themelues i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe babai i lëvizjes olimpike moderne. Logoja u bë publike në Kongresin Botëror Olimpik të vitit 1914, që u mbajt në Paris. Pesë rrathët simbolizonin pesë Lojërat e para Olimpike, por Kongresi u ndërpre kur duka Ferdinand i Austrisë u vra në Sarajevë, çka provokoi edhe Luftën e Parë Botërore. Reifenstahl, autori i dokumentarit të Lojërave të Berlinit, tregon edhe faktin tjetër të fuqisë imagjinare të Hitlerit. Ai i vendosi rrathët në një altar guri të marrë nga qyteti antik i Delfit në Greqi, duke dashur të simbolizojë mitin e një simboli që daton prej më shumë se dy mijëvjeçarëve. Me influencën e Hitlerit rrathët u bënë pjesë e hyrjes së Berlinit, edhe pse ato simbolizonin Lojërat Olimpike.
110 000 SHIKUES
Njeriu që hapi Lojërat XI Olimpike ishte vetë Adolf Hitleri. Banda muzikore të drejtuara nga kompozitori i famshëm, Rikard Shtraus, lajmëruan mbërritjen madhështore të diktatorit në një stadium në ekstazë të plotë me më shumë se 110 mijë shikues. Hitleri kishte një lozhë të veçantë. Spektakël në gara, rekorde të reja olimpike, mikpritje e ngrohtë gjermane, lojërat e para të transmetuara i shndërruan ato të paharrueshme dhe për atletët dhe shikuesit, pavarësisht se pas fasadës Gjermania e “një vendi model” dhe e “një race super të pastër Ariane”, përgatitej ethshëm për luftë. 49 vende morën pjesë në “Berlin 1936” nga 37 që morën pjesë në vitin 1932, ku gjashtë prej tyre merrnin pjesë për herë të parë. Gjermanisë i takon edhe një meritë tjetër në organizim. Atletët e 49 vendeve pjesëmarrëse bënë për herë të parë dhe parakalimin e ekipeve sipas rendit alfabetik: Afganistani i pari dhe Jugosllavia e fundit, ndërkohë që një vrapues mbante pishtarin e ndezur të ardhur nga Olimpiada e Greqisë.

Gebels, njeriu që bëri tifoz Hitlerin

Adolf Hitleri nuk ishte një tifoz sporti dhe nuk dëshironte që Lojërat Olimpike të mbaheshin në Gjermani. Njeriu që bindi Hitlerin të lejonte organizimin e tyre nuk mund të ishte askush tjetër, veçse Jozef Gebelsit, “trurit” të megapropagandës naziste. Jozef Gebels, ministri i Propagandës, deklaronte: “Sporti gjerman ka vetëm një detyrë: të tregojë fuqinë dhe karakterin e njerëzve gjermanë”. Lojërat Olimpike Verore të vitit 1936, ose të njohura zyrtarisht si Lojërat e 11-ta Olimpike, u zhvilluan në Berlin. Gjermania fitoi kundrejt një konkurrenti të fortë si Spanja, që kishte zgjedhur si qytet organizator Barcelonën. Berlini u përcaktua si vend organizator përpara se nazistët të vinin në pushtet, por i shfrytëzuan maksimalisht ato për të promovuar ideologjinë naziste. Vetëm sportistë gjermanë të pastër përmes një kriterit strikt u lejuan të garojnë për Gjermaninë, parë në këndvështrimin e Hitlerit për supermacinë e racës Ariane.
Sa për kuriozitet, presidenti i Komitetit Olimpik Gjerman, Teodor Levald, u mënjanua nga organizimi i Lojërave pasi u zbulua se gjyshja e tij ishte me origjinë çifute, duke u zëvendësuar nga një oficer i lartë nazist, Hans von Tschammer und Osten. Edhe pse Gjermania fitoi pjesën më të madhe të medaljeve (33 të arta, 89 në total, përfshirë dhe ato argjendi e bronzi), atleti afrikano-amerikan, Xhes Ouens, fitoi katër medalje të arta nga 24 që fituan SHBA-të (56 në total). I njohur për idetë fikse të tij, Hitleri urdhëroi izolimin në kampe të veçanta të të gjithë shtetasve romë, ndërsa të urdhëroi se të huajt nuk do t’u nënshtroheshin ligjeve kriminale kundër antihomoseksualizmit.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›