Gjin Marku, që nga grupet e para komuniste deri në çetën e Pezës
Gjet Ndoj
“Gjin Marku kishte lindur më 2 qershor 1918 (në dokumente është shënuar dy vjet më vonë, 1920), në fshatin Baz, në një familje me emër në atë krahinë. Kur vdes i ati i Gjinit, Pjetër Marku, miku i këtij të fundit, Hysen Selmani, si dhe byrazeri i tij, Abaz Kupi, e marrin Gjinin 9-vjeçar dhe e dërgojnë në Tiranë, në “Strehën Vorfënore”. Këtu Gjini mori mësimet e para të fillores dhe arsimit 5-vjeçar. Në vitet 1932-1936, Gjin Marku mbaron shkollën e mesme teknike “Harry Fultz” po në Tiranë dhe më vonë në Kavajë (vetëm dy muaj), në degën e Bujqësisë. Pas mbarimit të shkollës emërohet agronom në rrethin e Korçës. Në vitin 1945, pas luftës, Gjini, si shumë drejtues të tjerë të luftës, caktohet për të kryer studimet në fushën ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Ai ishte nga të paktët studentë nga Shqipëria që vazhdoi akademinë “Voroshillov” në Moskë. Kjo akademi ishte shkollë që nxirrte specialistë të nivelit më të lartë në fushën ushtarake dhe strategjike në të gjithë botën e asaj kohe. Studimet në këtë akademi Gjini i vazhdoi për tre vjet dhe iu ndërpre e drejt e studimit në vitin e fundit, 1948-1949, për shkak të përplasjeve që pati në Kongresin I të PKSH-së, në nëntor 1948”.
Angazhimi në luftë
Sapo u emërua në Korçë, Gjin Marku bie në kontakt me intelektualë korçarë dhe bashkë me ta fillon dhe aktivitetin antifashist e komunist (1936), në kuadër të Grupit Komunist të Korçës, duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi. Nëpërmjet Koço Tashkos, vëllezërve Gaqo e Pilo Peristeri etj., etj., Gjin Marku njihet edhe me Enver Hoxhën, në atë kohë profesor në Liceun e Korçës. Propaganda antifashiste kishte nisur më përpara se Shqipëria të pushtohej nga Italia më 7 prill 1939, pasi fashizmi ishte konsideruar rrezik për njerëzimin shumë vite më parë (sidomos kur Partia e Musolinit në Itali, e sidomos kur Partia Nacional-Socialiste e Adolf Hitlerit kishte ardhur në pushtet në Gjermani).
Gjin Marku ka qenë pjesëmarrës shumë aktiv që në fillimet e lëvizjes antifashiste e kjo duket në pjesëmarrjen e tij në demonstratë e më vonë dhe në formimin e njësiteve e çetave partizane. Në vitin 1940 formohet dega e Grupit të Korçës në Tiranë, duke shënuar dhe zgjerimin e veprimtarisë antifashiste e komuniste të këtij grupi. Shumë veta kalojnë në ilegalitet, ku njëri prej tyre ishte edhe Gjini.
Në dokumentet e kohës të zyrës Mbretnore të Policisë dhe të Kuesturës Fashiste, personat kryesorë, si: Gjin Marku, Vasil Shanto, Mihal Duri, Gaqo Nasto, Niko Llagi, Ali Reci, Ferit Xhajku, Kajo Karafili etj., ishin në ndjekje nga organet e pushtetit fashist të vendosur në Shqipëri që më 7 prill të vitit 1939.
Veprimtaria antifashiste e Gjin Markut në vitin 1941 e në vazhdim ka qenë intensive dhe e shumanshme. Përveç dëshmive, këtë e mësojmë dhe në dokumentet e kohës që po analizojmë, kryesisht në ato dokumente ku bëhet fjalë jo vetëm për veprimtarinë e tij, por dhe ndjekjen e vazhdueshme të tij nga karabinieria dhe regjimi fashist. Me 8 nëntor 1941 formohet Partia Komuniste Shqiptare, ku Gjin Marku, një nga themeluesit kryesorë të saj, zgjidhet një ndër anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste Shqiptare.
Organizata e Pezës
Pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare u zgjodh Komiteti Qendror Provizor, i cili kishte si detyrë parësore organizimin e Partisë në të gjithë vendin, për të luajtur rolin e saj në organizimin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në këtë kuptim u përcaktua si përparësi formimi i organizatave bazë të Partisë Komuniste Shqiptare, veçanërisht pranë çetave territoriale që kishin filluar të krijoheshin në këtë kohë. Premisat për ta bërë një gjë të tillë, për të formuar një organizatë partie, ishin krijuar edhe në Pezë. Përveç kësaj, ky organizim kishte një rëndësi të posaçme edhe se Peza ishte një zonë e përshtatshme për të qenë një bazë shumë e rëndësishme e veprimtarisë antifashiste të udhëhequr nga PKSH-ja. Realisht kështu ndodhi. Komiteti Qendror Provizor ngarkoi Gjin Markun për të ndjekur dhe drejtuar këtë mbledhje themeluese në Pezë pranë çetës. Në takimin themelues morën pjesë 8 luftëtarë të kësaj çete: Vasil Shanto, Mihal Duri, Ferit Xhajko, Pandi Nashi, Baki Staria, Loni Grazhdani, Qazim Prishtina dhe Zoi Themeli, me në krye të deleguarin e KQ-së së PKSH-së, Gjin Marku.
Dëshmia
Ish-luftëtari i kësaj çete, Sali Verdha, shprehet se “i ishte bërë qejfi kur kishte parë ish-shokun e shkollës së “Harri Fultz”-it, Gjinin, si të deleguar të PKSH-së në Pezë. “Mbledhja vazhdoi me debate dhe punën për gjatë dy ditëve; nga data 8-10 dhjetor 1941. Në fillim kandidaturë për sekretar të organizatës u propozua Vasil Shanto. Ky propozim u hodh poshtë nga Gjini, duka sqaruar se Vasili ishte më i madh se sekretar organizate, pasi ishte komisari i kësaj çete. Pas kësaj ndërhyrjeje u propozua Mihal Duri si sekretar dhe u miratua njëzëri nga pjesëmarrësit. Zëvendëssekretar u zgjodh Pandi Nashi. Më vonë kjo organizatë u rrit me shpejtësi, ndërsa komandanti Myslim Peza u bë komunist vetëm pas çlirimit, në vitin 1951”, - dëshmon Sali Verdha. Kështu u formua organizata e parë e Partisë Komuniste Shqiptare dhe fati ose diçka tjetër deshi që të ishte Gjin Marku përfaqësues i Komitetit Qendror Provizor të PKSH-së.
Përtej Pezës
Peza u bë “shkollë” dhe trampolinë për t’u hedhur gjetiu në luftë. Pas transformimit të çetës së Pezës në një çetë partizane, ajo u kthye në një bazë shumë të rëndësishme të Luftës Nacional Çlirimtare. Për këtë Sali Verdha kujton: “Edhe unë u bëra pas dy muajsh komunist. Të gjithë drejtuesit kryesorë të PKSH-së, jo vetëm vinin në Pezë për të dhënë orientime e për të bërë plane, por këtu në Pezë ata vinin edhe për të mësuar artin ushtarak; veçanërisht mësonin përdorimin e armëve të ndryshme, bënin qitje të ndryshme etj. Kështu, edhe Gjin Marku, para se të shkonte në Qarkun e Beratit, aty ku e caktoi Komiteti Qendror i PKSH-së, ndenji disa ditë në Pezë dhe pastaj u hodh për një mision të gjatë në Berat”. Verdha thotë se “Gjini i njihte të gjithë luftëtarët e çetës së Pezës, komandantin Myslim Peza, por mikun më të ngushtë ka pasur Mihal Durin”.
Vlerësime
At Zef Pllumbi: “Gjin Marku, një nga komandantët-strategë ma të aftë”
“Gjeneral Gjin Marku ishte një njeri me emën në Shqipni. Që në rininë e parë kje nji nga aktivistat ma në za të grupeve komuniste të shpërndame në të gjithë vendin. Që në fillimet e saj, që u quejt “Lufta Nacional-Çlirimtare”, ai kje nji ndër komandantat-strategë ma t’aftë… Cilsitë e tij fizike, morale e shpirtnore e bajshin atë udhëheqës karizmatik, sado që origjina e tij katolike, veriore, ashtu si ajo e Zef Malës dhe e Tuk Jakovës, ishte e papëlqyeshme për kopilin e bimbashit turk të Gjinokastrës. Në moshën e tij të re kishte dhe pjekuni politike. Ai e konsideronte luftën si mjetin ma t’fundit në zgjidhjen e mosmarrveshjeve njerzore dhe aty ishte trim i cartun. Por para asaj gjendje lufte, parapëlqente bashkëjetesën paqsore dhe kompromisin. Ishte udhëheqës me ndjenja njerëzore, që donte ma shumë jetën se vdekjen”….
Anët e panjohura të një gjenerali
Duke filluar që nga numri i sotëm, gazeta sjell anët e panjohura të gjeneralit Gjin Marku, një nga figurat më të spikatura dhe më pak të njohura për nga vlerat të Luftës Antifashiste dhe në vitet e para të pasçlirimit. Përmes një studimi të plotë të historianit Gjet Ndoj, vijnë në biografinë “Gjin Marku dhe lufta” të gjitha këto mistere, të cilat do t’ua servirim lexuesve ditë pas dite. Profili i gjeneralit, që ishte nga përkrahësit e grupeve komuniste të Korçës, pjesëmarrës në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare më 8 nëntor 1941, plotësohet në këtë monografi me dokumente arkivore, dëshmi të bashkëkohësve të gjallë dhe të ndarë nga jeta, fotografi të aktiviteteve të ndryshme gjatë luftës dhe pas çlirimit.
Në këtë serial shkrimesh për gjeneralin e panjohur të luftës do të lexoni:
Roli i Gjin Markut për krijimin e çetave partizane në Jug të vendit.
Konfliktet e ashpra të tij me drejtuesit qendrorë të PK-së, ku më i rrepti ishte Enver Hoxha.
Misioni i rëndësishëm i gjeneralit në zhvillimin e Kongresit të Përmetit.
Cili ishte roli gjatë luftës partizane për çlirimin e vendit nga pushtuesit?
Nisja me mision në krye të Divizionit VI drejt Malit të Zi, në ndjekje të gjermanëve
Kthimi në atdhe dhe martesa e Gjin Markut plot pasion me serben e bukur.
Përballjet me Enver Hoxhën në Kongresin I dhe ndëshkimet që pësoi.
Të gjitha këto detaje do të zbardhen në shkrimet e njëpasnjëshme që sjell për lexuesit e “Albania”-s studiuesi Gjet Ndoj.
Në numrin e ardhshëm do të lexoni:
Si u ngritën çetat e para partizane në Skrapar dhe Berat
Misioni i gjeneral Gjin Markut në rrethet e Jugut dhe skema e organizimit të punës
Ngritja e çetave të para dhe cilët ishin pjesëmarrësit që mbështetën lëvizjen
Çlirimi i Skraparit dhe fillimi i konflikteve të para mes Gjinit dhe Enver Hoxhës
25 Mars 2008