Hitzfeld kthen Behramin në Kombëtare

Selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, e ka kthyer në Kombëtare futbollistin kosovar, Valon Behrami. Futbollisti i Fiorentinës mungoi në angazhimet e fundit të ekipit helvetik për shkak të lëndimit, por ai është kthyer në formë të mirë dhe është ftuar nga trajneri gjerman për dy ndeshjet e rëndësishme dhe vendimtare në kualifikimet për Euro 2012.
Zviceranët do të luajnë kundër Uellsit më 7 tetor, ndërsa katër ditë më vonë do të kenë punë me konkurrentin direkt për një vend që çon në barazh, Malin e Zi të Fatos Beqirajt. Përpos mesfushorit të krahut, Hitzfeld ka ftuar edhe katër futbollistë shqiptarë në listën e publikuar të enjten.
Bëhet fjalë për mesfushorin e Napolit, Blerim Xhemajli, sulmuesin e Zurichut, Admir Mehmedi dhe dy mesfushorët e Baselit, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Zvicra gjendet në pozitën e tretë të Grupit G në kualifikimet për garën që do të mbahet vitin tjetër në Ukrainë dhe Poloni. Helvetikët kanë 8 pikë, tri më pak se Mali i Zi, dy xhiro pa përfunduar faza eliminatore.