E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana- Flamurtari Lutaj Nuk na tremb transferta

Java e katërt e Superligës kthehet këtë fundjavë me një nga sfidat historike më të rivalizuara, pasi Tirana do të presë në kryeqytet Flamurtarin. Një test i vërtetë force për dy skuadrat që kërkojnë të kthehen te titulli kampion në këtë sezon. Në tre javët e para ekipet kanë një ecuri të njëjtë, ndërsa për momentin diferencën mund ta bëjë faktori fushë. Një detaj pa rëndësi për trajnerin e skuadrës vlonjate, Edmond Lutaj, i cili në një intervistë për “Albanian Scrren’ ka bërë të ditur se skuadra e tij nuk i trembet transfertave.

“Fusha nuk duhet injoruar sepse në Tiranë ndeshjet janë gjithmonë shumë të vështira. Megjithatë një ekip me forcë si Flamurtari e përballon një sfidë të tillë dhe madje e minimalizon përsa i përket fushës. Edhe pse luajmë në fushë kundërshtare për Flamurtarin nuk ka shumë rëndësi”- tha Lutaj.

Përtej rezultatit që do të prodhojë sfida në “Qemal Stafa”, Lutaj shprehet se është shpejtë për të folur për titullin kampion. Për momentin, tekniku shijon ecurinë pozitive të skuadrës dhe formën e mirë të lojtarëve të afruar gjatë merkatos së verës.

“Përgjigjen e vërtetë e marrin më fund të kampionatit, por unë besoj se lojtarët që kanë ardhur tek Flamurtari janë shumë cilësorë. Ata e kanë treguar veten. Jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi të Flamurtarit”- tha Lutaj.

Në tre javët e para të Superligës, Flamurtari ka grumbulluar gjashtë pikë, ndërkohë që për ndeshjen kundër Tiranës, Lutaj do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, përfshirë Arbrin, i cili duket se është rikuperuar nga dëmtimi i lehtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›