E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen në referim

Gjyqtarët janë bërë ‘halë në sy’ për skuadrat kosovare në këtë fillim sezoni në Superligë. Ato ankohen se po dëmtohen nga ndarësit e drejtësisë. Rasti më i ri është ai i Trepçës ’89 dhe i Lepencit, të cilat konsiderojnë se u dëmtuan rëndë në mesjavë. Padrejtësitë që po i bëhen ekipit mitrovicas, kanë bërë që trajneri Gani Sejdiu të mendojë seriozisht për dorëheqje. Nga Moral Pozhegu më 30 shtator 2011 në ora 13:00

Kur kanë kaluar vetëm shtatë xhiro nga fillimi i sezonit të ri të Raiffeisen Superligës, ‘sindroma’ e quajtur referim është në qendër të vëmendjes te klubet kosovare. Ato ankohen vazhdimisht, javë pas jave, për ndarjen e drejtësisë.

Rasti më i freskët ishte ai i fundjavës që shkoi, kur Vëllaznimi u ankua ndaj gjyqtarit Albert Kastrati, për të cilin kërkoi nga Federata e Futbollit e Kosovës të mos i drejtojë ndeshjet e gjakovarëve më këtë sezon.

Ndërkohë, mesjava solli pakënaqësi të tjera të klubeve në adresë të këmishëzinjve. Për humbjen e pësuar në Merdarë nga Hysi me rezultat 1:0, Trepça ’89 fajin ia mvesh gjyqtarit të shumëpërfolur tashmë Muhedin Ferati, i cili përndryshe nga shumë klube konsiderohet si ‘refer i Hysit’.

Sipas ‘Xehetarëve’, Ferati i ka dhënë penallti të paqenë bardhezinjve, përmes së cilës ata edhe shënuan fitore. Padrejtësitë në futbollin kosovar e kanë lodhur trajnerin e mitrovicasve, Gani Sejdiu. Madje, ai po mendon seriozisht të tërhiqet nga futbolli kosovar përkohësisht, derisa gjërat të vijnë në vendin e tyre.

“Mua personalisht si trajner puna në futbollin kosovar po më shkakton strese. Dua t’i përshtatem kodit të mirësjelljes dhe mos të akuzoj, por mund të them lirisht se te ne nuk e vendos lojën puna që e bën trajneri dhe lojtarët, por fatkeqësisht tjetërkush. Më duket se gjërat janë të programuara. Me të vërtetë ajo që po ndodh këtu nuk ka të bëjë me futbollin”, shprehet Sejdiu për Express.

Në shtatë xhirot e para, në dëm të mitrovicasve janë dhënë 6 penallti. Sipas Sejdiut, asnjëra nga to nuk ka qenë as e diskutueshme e lëre më e pastër. Ai kërkon që të lejohen lojtarët t’i vendosin vetë takimet e jo t’i vendosë ato dikush tjetër (gjyqtarët).

“Po mendoj seriozisht për dorëheqje, pasi që çka është e tepërt, është e tepërt. Nuk dua që dikush ta prishë atë që e kam ndërtuar deri tash si trajner. Më mirë të tërhiqem dhe të kthehem dikur më vonë, kur të ndryshojnë gjërat për të mirë. Sepse për momentin nuk po shoh kurrfarë perspektive në futbollin kosovar”, vazhdoi Sejdiu i cili do ta vazhdojë megjithatë punën e tij me shpresë që mos të përsëritet dëmi që iu bë skuadrës së tij.

Trepça ’89 nuk është skuadra e vetme që u ankua në referim këtë mesjavë. Edhe drejtuesit e Lepencit insistojnë se u dëmtuan nga gjyqtari Hajriz Hajdari në ballafaqim me Vëllaznimin, i cili fitoi 1:0 në Kaçanik. Kryetari Saqip Berisha thotë se kjo nuk është hera e parë që kaçanikasit bëhen pre e gjyqtarëve.

“Mund të them publikisht se fajin për humbjen kundër Vëllaznimit e ka gjyqtari. Ai nuk akordoi dy penallti të pastra për ne, kur lojtarët gjakovarë luajtën me dorë. Kjo nuk është e tëra. Ne kemi qenë të dëmtuar nga gjyqtarët edhe në ndeshjet e kaluara, ndërsa mund ta përmend njërën prej tyre, atë kundër Dritës. Jemi ankuar në Federatë dhe urojmë që gjërat e tilla të mos përsëriten më”, nënvizoi Berisha.

Kreu i klubit kuq e zi nuk mendon se trajneri Selajdin Zeneli i ka fajet për rezultatet jo të mira të Lepencit, i cili nuk e ka shijuar fitoren në pesë xhirot e fundit. Megjithatë, ai paralajmëron se kryesia e klubit do të mblidhet shumë shpejt për të diskutuar rreth çështjes së trajnerit.

‘Sëmundja’ referim nuk është një risi në futbollin kosovar. Skuadrat e Superligës, por edhe më gjerë, ankohen vazhdimisht në ndarësit e drejtësisë. Sezonin që shkoi, në qendër të akuzave ishte gjyqtari Muhedin Ferati, i cili ishte bërë i padëshiruar për disa prej ekipeve kosovare. Ekipet e dëmtuara urojnë që në xhirot në vijim të mos jenë ‘viktima’ të referimit të dobët, i cili po ndikon direkt në rezultatet e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›