E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoakim Lëv: Me optimizëm, drejt titullit evropian

Përpara sfidës së parë në Euro 2008 kundër Polonisë, trajneri i përfaqësueses gjermane, Hoakim Lëv i ka shkruar një letër të hapur tifozëve. "Ambicia dhe optimizmi ynë janë në nivelet maksimale. Mund të mësojmë prej kampionëve në fuqi të Evropës, Greqisë: nëse të gjithë punojmë për skuadrën dhe dalim në fushën e lojës si një ekip me harmoni, atëherë titulli kontinental nuk do të mbetet thjesht një ëndërr", shkruante Lëv në letrën e publikuar të shtunën nga Federata Gjermane e Futbollit. Gjermania debuton sot në Klagenfurt, me historikun nga ana e saj: në fakt, ata nuk kanë humbur asnjëherë në ndeshjet përballë polakëve. Më tej, Lëv i ka kërkuar fansave të njëjtën mbështetje dhe entuziazëm që e ndihmoi skuadrën të renditej e treta në Botërorin e zhvilluar përpara dy vjetëve. Për koincidencë, Greqia ka triumfuar në Euro 2004, nën drejtimin e një trajneri gjerman, strategut Oto Rehagel.

Ndërkohë, mesfushori Torsten Frings ka folur rreth topit zyrtar të Euro 2008, për të cilin portierët kanë ankesa për trajektoren e paparashikueshme që merr kur është në fluturim. Sipas 31-vjeçarit, lojtarët nuk mund të jenë më të lumtur nga kjo sferë. Frings mendon të provojë fatin me gjuajtjet nga distanca gjatë ndeshjeve dhe parashikoi se në aktivitetin që zhvillohet në Austri dhe Zvicër do të realizohen shumë gola spektakolarë. "Ndryshe nga portierët, ne lojtarët e duam topin", tha ai në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Poloninë. "Padyshim që është fantastik. Mendoj se do të shohim shumë gola nga distanca e largët, pasi nëse e godet këtë top në mënyrën e duhur, ai fluturon". Portieri gjerman, Jens Lehman, ishte mes atyre që e kritikonin sferën, por Frings tha: "Portierët do ta kenë të vështirë, por Jensi kishte tri javë në dispozicion për t‘u mësuar me të. Jam i sigurt se nuk do ta ketë problem".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›