Hodhi mikrofonat dhe dosjet tek “Ligjet”, Gazment Bardhi përjashtohet për 5 ditë nga Kuvendi

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi është përjashtuar për 5 ditë nga Kuvendi. Ky vendim vjen pas veprimit të pahijshëm të tij kundrejt kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushkës. Kalimi për votim të projektiligjit për Portin e Durrësit, solli revoltimin e deputetit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke hedhur mikrofonat dhe shkresat e dosjeve drejt Kryetares së Komisionit.
Vendimi për përjashtim hyn në fuqi të premten.
“Në këtë mbledhje deputeti Bardhi përdori gjuhë jo parlamentare ndaj Kryetares së Komisionit, shoqëruar me veprime agresive, duke dëmtuar paisjet audio në sallën e mbledhjes së komisionit, si dhe keqpërdori dokumentacionin e mbledhjes, duke i hedhur shkresat e mbledhjes drejt Kryetares së Komisionit.
Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, neni 63 pika ç dhe neni 65/1, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro dhe 2 Kundër, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seanca plenare për 5 (pesë) ditë”, për deputetin z. Gazmend Bardhi. Vendimi hyn në fuqi më datë 18.11.2022”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/