E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kuvend/ Vokshi kërkon përjashtimin e Ramës! Alibeaj: Vota jonë kundër ligjit për Portin e Durrësit, na kufizuat kohën e debatit

Seanca e sotme plenare ka nisur me debate mes deputetëve të opozitës dhe deputetë të mazhorancës. Deputetja demokrate Albana Vokshi ka kërkuar përjashtimin e Kryeministrit Edi Rama lidhur me gjuhën e përdorur në Kuvend.

“Kërkoj përjashtimin e Edi Ramës. Siç u mor masë për 2 deputetët e PD. Kërkoj përjashtimin e Edi Ramës për gjuhën vulgare e banale që ka përdorur këtu në Parlament”, tha Vokshi.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se mazhoranca ka kufizuar kohën e debatit, ndërsa është ndalur dhe te kalimi në Kuvend me procedurë të përshpejtuar i Portit të Durrësit.

“Përgjëroheni se do respektoni gjuhën e Parlamentit, kodin e etikës. Është një kërkesë që qëndron pezull. Keni detyrimin ligjor për tu përgjigjur. E para kjo. Thatë se në konferencën e kryetarëve ka pasur unanimitet. Nuk është e vërtetë. Një nga çështjet që pati debate të mëdha dhe vota jonë ishte kundër është ajo që është parashikuar për javën tjetër për ligjin për Portin e Durrësit. Mazhoranca dje në shkelje të hapur të rregullores vendosët që debati që duhet ti nënshtrohet rregullave, vendosët të kufizonit kohën e debatit. Kjo është shumë e rëndë. Javën e kaluar në shkelje të kushtetutës e kaluat atë me procedurë të përshpejtuar. Dhe për atë që është javën tjetër kufizuat kohën e debatit”, tha Alibeaj.

Duke u ndalur te raportet e Këshillit për Rregulloren, Mandateve dhe Imunitetit për pavlefshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, Alibeaj theksoi se ministrja nuk u paraqit në komision parlamentare për t’iu shmangur të vërtetës.

“Së treti, e dëgjova apologjinë për çështjen e Olta Xhaçkës. E kuptoj që keni marrë një mision thjesht për ta mbrojtur, si dhatë të drejtën opozitës për t’i bërë pyetje zonjës Olta Xhaçka. Disa herë zonja Xhaçka e shtyu për të mos u përballur me të vërtetën. Avokatit të saj s’na latë toi bëjmë pyetje. Kërkohet debat. Jo vetëm një lexim i raportit të njërës apo tjetrës palë. Çështja e konfliktit të interesit që parlamenti nuk duhet të kenë është çështje publike. Publiku duhet të marrë vesh, të kuptojë, e si e bëjmë ne këtë? Duke mbyllur gojën? Kam kërkuar kohë pa limit jo vetëm për mocione, e drejta për të folur është e atyre kërkuesve dhe këtu nuk bëhet pazar me askënd. Kush bën lojën e Ramës t’i tërheqin se është turp i tyre”, tha Alibeaj.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Ballaka akuzuar opozitën se po bëjnë zhurmuesin dhe nuk po lejojnë Kuvendit të diskutojë lidhur me progres-raportin për integrimin evropian. Duke i cilësuar si rublaxhinj dhe “non grata”, Balla theksoi se nuk mund të lejohen më të pengojnë Kuvendin që të fokusohet në çështjet e integrimit evropian.

“Pas 42 minutash sorollatje pa asnjë kuptim dhe përpjekje për të penguar Kuvendin për të zhvilluar një nga debatet më të rëndësishme për progres raportin të kalohet në diskutim. Argumetimi im për këtë kërkesë ka të bëjë me nevojën e një diskutimi të thellë dhe të qenësishëm të gjetjeve të këtij progres-raporti. Ka një përpjekje shumë vjeçare të rublaxhinjve, të non-gratën për të penguar Kuvendin që të fokusohet në çështjet e integrimit evropian. Kërkesat për fjalën për procedurë merren vetëm 1 herë dhe fokusohen në një çështje të procedurës. Partneri i Kostadin Kovaçevit dhe rublaxhiu i Putin s’mund të pengojë Kuvendin në diskutimin e progres-raportit. Çështjet e procedurës kanë përfunduar, kalojmë në diskutimin e progres-raportit”, tha Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›