E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama në Beograd, konferencë rajonale mbi energjinë e rinovueshme në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Beograd ku po merr pjesë në punimet e konferencës rajonale “Mbi mundësitë në zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor”.

Gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani bën të ditur se kjo konferencë zhvillohet me iniciativë të Ballkanit Perëndimor të kryeministri Edi Rama me homologët e tij të Bosnje Hercegovinës, Malit te Zi, Maqedonisë se Veriut dhe mikpritësit, Presidentit Vuçiç së bashku me qeverinë norvegjeze për të hapur një shteg të ri të bashkëpunimit ndër-rajonal në fushën e sigurisë energjetike, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve nordike.

Rama shoqërohet nga zv.kryeminsitrja Belinda Balluku dhe ministrja e Bujqësisë Frida Krifca.  

Në Konferencë do të marrin pjesë liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe drejtues e përfaqësues të kompanive prestigjoze norvegjeze në fushën e energjisë, në një diskutim mbi perspektivën e investimeve në energjinë hidrike, diellore dhe të erës në vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin e shtimit të përpjekjeve të përbashkëta për tranzicionin e gjelbër në fushën e energjisë.

 Kryeministri Rama do të diskutojë në panelin “Perspektivat rajonale të energjisë dhe investimet norvegjeze në energjinë e rinovueshme në Ballkan”, me theks të veçantë në bashkëpunimin rajonal, i cili luan rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë dhe rezistencën e ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në aktualitetin e krizës energjetike.

Në përfundim, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp, rreth orës 12:15.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›