Hoenes: Guardiola shumë më i mirë se Mourinho

Presidenti i Bayernit të Mynichut, Uli Hoenes, mendon se Pep Guardiola provoi se është një trajner më i mirë (gjatë kohës së tij në Barcelonë) se kolegu i tij te Celsi aktualisht, Jose Mourinho. Spanjolli ka gëzuar një marrëdhënie të tensionuar me ish-trajnerin e Real Madridit gjatë kohës së tyre të përbashkët në La Liga, ndërsa këtë fundjavë do të vihen përballë njëri-tjetrit në finalen e Superkupës së Evropës.
Megjithatë, Hoenes beson se vendimi për ta emëruar Guardiolën si zëvendës të Jup Hejnkesit tregon qartë se cili është trajneri më i mirë. “Pep dhe Mourinho zhvilluan një betejë interesante në Spanjë gjatë disa sezoneve, por trajneri ynë doli fitimtar, – tha Hoenes për “Sport Bild”. – Ka gjithmonë një tension të caktuar midis tyre. Unë nuk flas me Pep rreth Mourinhos, por kuptoj fare mirë se nuk janë miqtë më të mirë. Është një duel interesant mes tyre, që i shton diçka ekstra ndeshjes së ditës së premte. Guardiola në njërën anë, me ne, dhe Mourinho në këndin tjetër, në stolin e një ekipi me nivel të lartë, si Chelsea. Unë nuk e di nëse ata do t’i shtrëngojnë duart, por kjo nuk është me të vërtetë e rëndësishme.
Pep është trajneri ynë i çmuar dhe i respektuar. Personalisht as dua ta gjykoj Mourinhon. Fakti është, megjithatë, se ne nuk jemi përpjekur të nënshkruajmë me Mourinjon, pasi ishim të vendosur për Guardiolën. Si klub kemi bërë një deklaratë mjaft të qartë në lidhje me këtë.”
Finalja e Superkupës së Europës mes Bayernit dhe Chelseat do të luhet të premten në Pragë, në orën 20:45./indeksonline/