Holanda në finale, sekreti është frymëzimi nga Barça
Do të ishte absurde të mendoje se në përfaqësuesen holandeze, që arriti finalen e Kupës së Botës për herë të parë pas 32 vjetëve, mund të ketë një lojtar i cili do të rivalizonte talentin e Johan Krujf. Megjithatë, trajneri Bert van Marvijk beson se ka gjetur hallkën që i mungonte formulës së suksesit të pionierëve të “futbollit total”, për të fituar trofeun më të rëndësishëm në botë në vitet 1974 dhe 1978, kur ata humbën dy finale radhazi. Për ndeshjen e së dielës në stadiumin “Soccer City” të Johanesburgut, Van Marvijk premtoi se skuadra e tij do të luajë si gjigandët spanjollë të Barcelonës: një ekip që praktikon futbollin e bukur kur ka në kontroll topin dhe ushtron presion të jashtëzakonshëm ndaj kundërshtarëve, për të rimarrë sferën. Drejtuesi i stolit “portokalli” konfirmoi se gjatë këtyre dy viteve të fundit ka studiuar lojën e “blaugranave” dhe disa elementë të saj, Holanda i ka vënë në zbatim gjatë aventurës në Afrikën e Jugut. Tekniku shpjegoi: “Nuk jam munduar të ruaj metodën karakteristike të lojës së skuadrës, apo diçka të ngjashme me paraardhësit e mi. Punoj sipas mënyrës sime. Ajo që ka më tepër rëndësi është që duhet të besosh në diçka. Realisht duhet t’i përkushtohesh një stili të caktuar. Ne luajmë futboll të mirë, madje edhe të bukur. Shpesh ka ndodhur që Holanda i niste aktivitetet me fitore, skuadra bëhej euforike dhe më pas kthehej përpara kohe në shtëpi. Vazhdoj t’i them lojtarëve të mi se ekziston gjithmonë ‘një ndeshje tjetër’. Ne mbrojmë të gjithë si skuadër. Më pëlqen futbolli sulmues, apo loja e bukur, por puna nis nga zbatimi i detyrave difensive të çdo lojtari dhe pozicionimi i tyre në pozicionet e duhura. Gjithmonë bëj krahasime me Barcelonën; kjo skuadër praktikon të njëjtin stil futbolli si unë. Por, situatat më interesante krijohen kur katalanët humbasin topin: në çdo kohë Mesi, Ibrahimoviç, Iniesta dhe Ksavi ushtrojnë presing ndaj kundërshtarëve për të rifituar kontrollin e topit. Nëse arrin të injektosh këtë mentalitet në skuadër, atëherë je në rrugën e duhur. Deri më tani kemi arritur ta realizojmë diçka të tillë”.
Fitorja 3-2 përballë Uruguait ishte triumfi i 14-të radhazi i “tulipanëve” në Kupën e Botës: holandezët kanë realizuar gjashtë fitore në Afrikën e Jugut dhe tetë në ndeshjet kualifikuese për në fazën finale të aktivitetit. Vizioni i trajnerit Van Marvijk po jep frytet e dëshiruara. Skuadra aktuale nuk ka dhuntinë e asaj të 1974-s kur luante Krujf, por aty luajnë elementë si Van Persi, Roben apo Shnajder që janë vendimtarë në klubet e tyre. Ndoshta lojtarët e përfaqësueses “portokalli” nuk janë miq të mirë edhe jashtë fushës (mund të përmendet këtu debati Shnajder-Van Persi, për të cilët thuhet se nuk kanë folur për afro dy vjet), por kur zbresin në fushë ata vënë skuadrën përpara mërive personale. Kjo është edhe merita më e madhe e Van Marvijk: grupi është kompakt. Shnajder ka shënuar 5 nga 12 golat e holandezëve edhe pse nuk është një sulmues, ndërsa trajneri thotë: “Uesli është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë, por ai nuk luan i vetëm. Edhe lojtarët që nuk janë aktivizuar kanë dhënë kontributin e tyre. Ne jemi të fortë si ‘skuadër’ dhe dëshiroj ta theksoj këtë fakt”.
#