E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja takim me historinë

Skuadra e drejtuar nga Del Boske kontrollon prej fillimit ndeshjen. Pjesa e parë e lojës ishte sterile, por në 45 minutat e dyta spanjollët “shtypin” Gjermaninë dhe koleksionojnë raste të shumta për shënim. Të dielën, ata do luajnë për herë të parë për titullin botëror përballë Holandës Me golin e Pujol, “Furia e Kuqe” i ndërpret ëndrrën Gjermanisë

Spanja mposht Gjermaninë në Durban falë një goli të realizuar nga mbrojtësi Karles Pujol dhe arrin finalen e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, ku do të përballet me Holandën. Më 11 korrik në stadiumin “Soccer City” të Johanesburgut, trofeu më i rëndësishëm në futboll do të vihet në duart e një skuadre e cila nuk e ka fituar asnjëherë, pasi të dyja finalistet nuk e kanë arritur një sukses të këtij niveli. Kjo do të jetë edhe hera e parë që një përfaqësuese europiane do të triumfojë në një edicion të Kupës së Botës që është luajtur jashtë “kontinentit të vjetër”. Spanja, që nuk ka luajtur asnjëherë në finale të botërorit, realizon një arritje historike, duke përsëritur triumfin në finalen e Euro 2008. “Furia e Kuqe” mposhti sërish gjermanët me rezultatin 1-0, ashtu si në Vjenë. Megjithatë, rezultati final i 90 minutave nuk shpjegon që skuadra e drejtuar nga Visente Del Boske ka dominuar gjatë gjithë sfidës. Si zakonisht iberikët nuk janë shfaqur pragmatistë dhe kanë treguar probleme në konkretizimin e aksioneve, gjithsesi ata kanë paraqitur lojë të nivelit më të lartë dhe krijuan më shumë shanse se skuadra e Joakim Lëv. Gjermania ishte e shpërfytyruar në krahasim me ndeshjet e mëparshme: shumë e ndrojtur dhe e rreshtuar në mbrojtje. Merita e tyre e vetme në gjysmëfinalen e djeshme ishte se arritën ta mbanin takimin të hapur deri në fërshëllimën finale.

Që prej sekondave të para, spanjollët përcaktojnë ritmin e lojës. Aksionet dhe qarkullimi i topit nga “Furia e Kuqe” ndërpriten vetëm nga një tifoz që zbret në fushë, e që menjëherë largohet nga forcat e sigurisë. Në sulm mungon Fernando Torres: iberikët humbasin peshë dhe centimetra, por fitojnë rrjedhshmëri në manovrat e tyre, me Pedron që shfaqet i papërmbajtshëm në krah. David Vija, i aktivizuar si qendërsulmues, kërkon të çajë mbrojtjen kundërshtare me shkëputjet e tij: kur ia arrin, është portieri Neuer ai që realizon ndërhyrjen vendimtare. Më pas është Pujol që ka shansin e artë të zhbllokojë rezultatin, por devijimi me kokë i mbrojtësit përfundon mbi traversë. Në fushë dukej se kishte zbritur vetëm Spanja dhe kjo është një surprizë për të gjithë ata që kanë parë paraqitjet e Gjermanisë kundër Anglisë dhe Argjentinës. Gjermanët duket se kanë humbur forcën, mbyllen në mesfushën e tyre dhe të vendosur me rregull në fushë përballojnë deri në vuajtje goditjet e spanjollëve. Momenti më i mirë i skuadrës së Lëv ishte në çastet e fundit të pjesës së parë, kur ëzil pretendon një 11-metërsh të paakorduar nga gjyqtari. Në fraksionin e dytë të lojës, Spanja tenton me të gjitha mënyrat që të gjejë rrjetën. Ksabi Alonso me një gjuajtje nga distanca, Pedro dhe më pas Iniesta, i cili krijon një shans të shkëlqyer të pashfrytëzuar nga Vija, shqetësojnë Neuer. Gjermania ndryshon në lojën e saj me aktivizimin e Jansen dhe Kros dhe efektet duken menjëherë me tentativën e Kros, ndaj të cilës Kasijas është i vëmendshëm. Goli i Spanjës vjen në të 74-tën, nga goditje këndi: Pujol kërcen më lart nga të gjithë dhe përshëndet rrjetën. Avantazhi bën që iberikët të kontrollojnë me qetësi ndeshjen, madje të kenë edhe më tepër hapësira për të dyfishuar, por Pedro e Torres shpërdorojnë. Gjermania lufton deri në fund, nuk dorëzohet dhe kërkon dëshpërimisht barazimin, por përfundimi i tri minutave shtesë bën që në Spanjë të shpërthejë festa.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›