E Diel, 1 Nëntor 2026

Holanda nuk ka Robenin ndaj një Danimarke pa yje

Pragndeshja “Tulipanë” ambiciozë: Duam Titullin

Në shtëpinë e Holandës vjen konfirmimi: Arjen Roben do të mungojë në debutimin botëror kundër Danimarkës. Sipas trajnerit të Holandës bëhet fjalë për një vendim të detyruar për të mos rrezikuar lojtarin. Pas një “tërhiq e mos e këput” dhe një jave testesh e stërvitjeje të diferencuar, ka mbërritur konfirmimi, negativ: Arjen Roben nuk do të jetë. Tekniku i “tulipanëve”, Bert Van Marvijk, e ka konfirmuar këtë gjë. Ishte trajneri, ai i cili një ditë para debutimit hodhi peshqirin në tapet dhe fshiu nga lista e të grumbulluarve një nga pikat më të forta të kombëtares “Orange”. Roben kundër Danimarkës nuk do të jetë. Pak përpara kishte optimizëm për rikuperimin e tij në kohën e duhur. Ndërkohë që shtypi më parë e kishte lënë jashtë kombëtares yllin e Bajernit të Mynihut. Por tani është një situatë më e qartë. Nuk ka asnjë shpresë që sot Robenin ta shikojmë në fushë dhe me sa duket, ditët e fundit të përgatitjes u kanë dhënë të drejtë më skeptikëve. Një irritim natyral për trajnerin e Holandës, i cili tashmë është i vetëdijshëm për mungesën e lojtarit të saj kryesor. “Në tri javët e fundit, futbollisti është stërvitur me ritëm të plotë vetëm një herë dhe ka luajtur 40 minuta. Shumë pak. Dhe megjithatë duhet të punojmë ngadalë me të”. Fjalë që konfirmojnë formën jo të mirë fizike të lojtarit të fortë të “tulipanëve”. Ka shpresa të shumta që Roben të rikthehet për takimet e tjera të grupit. “Ndeshja e parë e një Botërori është gjithnjë më e rëndësishmja, por ne do të bëjmë maksimumin, pasi duam të shkojmë sa më lart në këtë kompeticion”. Kombëtarja “Orange” është ende në kërkim të titullit të parë kampion bote në historinë e saj. Këtë trofe e ka humbur për pak dy herë në finale, në vitin 1974 edhe në 1978 (i vetmi titull në vitrinën e tyre është Europiani i 1988). Kjo ndeshje do të jetë shumë e rëndësishme për Holandën, e cila shihet si favoritja kryesore për të marrë vendin e parë në grup, ndërsa Danimarka do të jetë rivalja e saj kryesore. Danezët kanë disa ndryshime në krahasim me skuadrat e së kaluarës. Në 1998 ata kishin në përbërje yje të mëdhenj si Shmajkëll dhe vëllezërit Laudrup. Në 2002 ishin të gjithë lojtarë të mëdhenj, që militonin në Europë, ndërsa këtë vit ata duken të vetëdijshëm se do të duhet të përballen me Botërorin pa yje në skuadër, por më dëshirën dhe vullnetin e madh për të ecur sa më larg. Për danezët, Martin Jorgensen do të hyjë zyrtarisht në historinë e kësaj kombëtareje. Ish-lojtari i Fiorentinës do të marrë pjesë në Botërorin e tretë (me ndeshjen sot në Johanesburg ndaj Holandës). Nuk mundej se si të mos ishte ai, njeriu që fliste në ditën para kësaj ndeshjeje. Fjalët e tij ishin prej një kapiteni të vërtetë: “Kemi një shans të mirë për të ecur përpara, thotë Jorgensen për sfidën e sotme: Do të më pëlqente të fitonim, por jemi të kënaqur edhe me një pikë. Besoj se edhe Holanda do të jetë e kënaqur, edhe pse është skuadra favorite e grupit tonë. Mes nesh, Japonisë dhe Kamerunit nuk ka shumë diferenca”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›