Holder: Talebanët pakistanezë të përfshirë në atentatin e Times Square
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Eric Holder tha të dielën se talebanët pakistanezë ishin të përfshirë në atentatin e dështuar me autobombë në Times Square në Nju Jork. "Janë talebanët pakistanezë ata që e kanë drejtuar këtë komplot. Ata kanë qënë të përfshirë dhe e kanë drejtuar financiarisht këtë komplot", ka thënë Holder në një intervistë për televizionin NBC. 30-vjeçari Faisal Shahzad, një qytetar pakistanez i natyralizuar si amerikan u arrestua të hënën e kaluar, dy ditë pasi autoritetet deklaruan se ai kishte parkuar një autobombë në sheshin Times Square. "Jam i bindur që talebanët pakistanezë ishin të përfshirë në atentatin e Shahzad, dhe unë mendoj se ky është një tregues i ri për rrezikun që duhet të përballemi", ka vazhduar Holder më tutje. Gjatë përgjigjeve të pyetjeve, Holder tha se administrata duhet të bashkëpunojë me kongresin, në mënyrë që të shohë nëse është e nevojshme të modifikojë mbrojtjen për personat e arrestuar për akte terroriste. Disa nga ligjvënësit kanë sugjeruar që personat e akuzuar për terrorizëm nuk duhet të kenë të gjitha të drejtat e akorduara njësoj si ata që janë akuzuar për krime më pak serioze.