Holland e Merkel për Greqinë: Të vazhdojnë reformat
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, François Holland u takuan në mbrëmje në Berlin, në një përpjekje për të kapërcyer dallimet lidhur me krizën e borxheve dhe mbi çështjen greke, përpara se secili prej tyre të takojë kryeministrin e Greqisë, Antonis Samaras.
Mbështetjen për Greqinë e nënvizoi presidenti i Francës, përpara takimit me kancelaren gjermane. “Unë dua që Greqia të qëndrojë në Eurozonë”, tha ai, dhe vuri në dukje nevojën që grekët të bëjnë përpjekjet e duhura për këtë qëllim. Holland tha se është gjithashtu e nevojshme të aplikohet mbikëqyrja bankare, veçanërisht në Spanjë.
Merkel, ndërkaq, theksoi domosdoshmërinë për reforma strukturore në Greqi, duke shtuar se “grekët janë në rrugën e duhur, por se duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe ndryshimeve strukturore”.
Të dy udhëheqësit evropianë përsëritën se vendimet për Greqinë do të varen nga raporti i Treshes.
Sipas vlerësimeve të agjencive të lajmeve Reuters dhe AFP, Merkel dhe Holland do të paraqiten të bashkuar në drejtim të çështjes së Greqisë, duke thënë se Athina nuk duhet të presë lehtësim të kushteve apo zgjatje të kohës së reformave, nëse nuk respekton angazhimet e saj.
Përveç krizës greke, liderët e Gjermanisë dhe Francës do të diskutojnë edhe për sistemin bankar evropian dhe çështjen siriane.
Nga klima e takimit të sotëm Merkel-Holland varet edhe rezultati i takimeve që do të ketë me ta kryeministri grek, i cili do të udhëtojë nesër në Berlin, ku do të takojë kancelaren Merkel, ndërsa një ditë më vonë edhe presidentin Holland në Paris.