SHBA, roli i Zv.presidentit Biden në fushatën presidenciale

Ndërsa fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara hyn në muajt e fundit, nënpresidenti Joe Biden po luan një rol të rëndësishëm në rizgjedhjen e Presidentit Barack Obama.
Shumë analistë politikë janë të një mendimi se papunësia e lartë dhe rimëkëmbja e dobët ekonomike, do ta bëjë më të vështirë për Presidentin Obama që të rizgjidhet në nëntor.
Për t`iu kundërvënë këtyre sfidave ekonomike, fushata e presidentit Obama po përqëndrohet tek votuesit e klasës së mesme dhe klasës punëtore, shumica e të cilëve tradicionalisht janë disa prej përkrahësve më të fuqishëm të Partisë Demokrate.
Dhe për t`ia arritur këtij qëllimi,presidenti Obama po thekson planin e tij për shkurtimin e taksave të klasës së mesme. Madje ai ka lejuar nënpresidentin Joe Biden që të sulmojnë planin e rivalit republikan, Mitt Romney për të stimuluar ekonominë përmes shkurtimit të taksave për bizneset.
Joel Goldstein, professori i ssë drejtës në Universitetin Seint Luis, ka shkruar shumë rreth nënpresidentëve në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se shpesh Obama e ka pasur të vështirë të krijojë lidhje me demokratët e klasës punëtore, edhe gjatë fushatës paraelektorale të vitit 2008 kundër senatores së atëhershme, Hillary Clinton. Goldstein thotë se Zv.presidenti Biden ka bërë një punë më të mirë për sa i përket tërheqjes së klasës së mesme.
Analistët thonë se pjesë e figurës tërheqëse të Biden është aftësia e tij për t`u solidarizuar me familjet në vështirësi ekonomike, ashtu siç veproi në një fjalim që mbajti të martën në qytetin Mineapolis të shtetit Minesota.
Por analistët theksojnë se popullariteti i zotit Biden shoqërohet me një çmim. Ai njihet se si një politikan që del jashtë komenteve të parapërgatitura dhe herë herë me pasoja të padëshiruara.
Gjatë një aktiviteti fushate javën e kaluar në Virxhinia, Zv.presidenti Biden, duke kritikuar politikat ekonomike të zotit Mitt Romney, iu referuar skllavërisë, komente që disa afrikano-amerikanë dhe shumë të tjerë i konsideruan ofenduese.
Analisti Joel Goldstein thotë se gafa e Zv.presidentit shkaktoi për një kohë të shkurtër largimin e vëmendjes nga mesazhi që fushata e presidentit Obama dëshiron t`u transmetojë votuesve.
Megjithatë, fushata e presidentit Obama e shikon nënpresidentin si një pikë të fortë në tërheqjen e votuesve të klasës punëtore, ndërkohë që zoti Biden vazhdon fushatën në fabrika, shkolla dhe mjedise të tjera në mbarë Shtetet e Bashkuara.