Hollande ul rrogat e qeveritareve
Presidenti i ri francez, Fransua Hollande, dhe ministrat e tij socialistë, kanë miratuar vendimin për zvogëlimin e rrogave deri ne 30%. Kështu ministrat franceze tani do të paguhen me 9.940 euro në muaj në vend të 14.200 euro që paguheshin ministrat e kabinetit të Sarkozi. Pagat e Presidentit dhe Kryeminsitrit do të jenë 14.910 euro poshtë 21.300 euro që ishin rrogat e mëparshme.
Duke u larguar nga takimi i parë i qeverisë së re të Francës, ministrat kanë thënë se qeveria e filloi punën me miratimin e uljes së rrogave dhe me nënshkrimin e aktit etik për të shpenzuar më pak para në udhëtime dhe në ministritë e tyre.
Gjatë fushatës, presidenti Fransua Holland, kishte premtuar uljen e rrogave, duke thënë se kjo do të bëhej për të “treguar shembull”.
Ky veprim ndryshon rrënjësisht nga ai i ish-presidentit Nikollas Sarkozi, i cili rrogën e tij mujore e kishte rritur me 170%.
Veprimi i Hollande ndodh që në takimin e parë të qeverisë së re, duke nisur nga reformat e tij që kanë për synim t’i bëjnë ballë krizës.
Kryeministri i ri Zhan Mark Ajro mori zyrtarisht postin një ditë më parë dhe më pas shpalli dhe përbërjen e qeverisë.