Hollbruk: “BE-ja kusht Serbisë për të njohur Kosovën”
Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Riçard Hollbruk, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, i bëri thirrje Bashkimit Europian të mos pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë në kuadër të proceseve integruese në BE, përderisa Serbia të mos njohë pavarësinë e Kosovës. “Bashkimi Europian bën gabim të madh nëse pranon në gjirin e tij Serbinë, nëse ky vend vazhdon ta cilësojë Kosovën si pjesë të saj. Kjo do të jetë shumë e rrezikshme”,- tha ish-ambasadori. Pas takimeve që ka zhvilluar me udhëheqësit e institucioneve qëndrore, Hollbruk shprehu përkushtimin për këtë vizitë në Kosovën e pavarur dhe tha se kosovarët duhet të jenë të kënaqur me faktin se Kosova është njohur tashmë nga 46 vende.
“Ëndrra është bërë realitet dhe unë gjithmonë kam besuar se është esenciale një Kosovë e lirë demokratike dhe e pavarur. Kjo padyshim që është një ngjarje historike për botën dhe qytetarët e Kosovës”,- tha Hollbruk. “Duke marrë parasysh diplomacinë agresive të Rusisë kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës, shifra e 46 vendeve është shumë e mirë”,- u shpreh Riçard Hollbruk. Sipas tij për momentin është me rëndësi që shteti i ri të njihet edhe nga vendet fqinje, sidomos Maqedonia dhe Mali i Zi. Riçard Hollbruk njihet si arkitekt i marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë. Ai u angazhua edhe në dhënien fund të regjimit shtypës të Millosheviçit në Kosovë. Duke folur për zhvillimet në rajon, ai tha se është mirë që në Serbi është në pushtet një qeveri proeuropiane, megjithatë konstatoi se Bashkimi Europian, nuk duhet ta pranojë në gjirin e tij Serbinë, përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se presidenti serb, Boris Tadiç, është një demokrat që duhet të dëshmohet para se të pretendojë të shtyjë vendin e tij drejt BE-së. Ish-emisari Hollbruk, kundërshtoi zërat, të cilët e ndërlidhin çështjen e Kosovës me çështjen e dy rajoneve separatiste në Gjeorgji, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Ai tha se problemi i Kosovës është diskutuar me pjesëmarrjen e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe është vendosur një mision i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, ndërsa rajonet në Gjeorgji, Osetia e Jugut dhe Abkhazia, janë aneksuar nga Rusia. Ambasadori sugjeroi që Kosova të mos përqendrohet vetëm në numrin e njohjeve, por edhe te përparimi ekonomik.
9 Shtator 2008