E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Thaçi: “Ndarja e PDSH-së, pjesë e procesit demokratik”



Zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, i sheh si proces demokratik që u ka ndodhur shumë partive. “Kjo është punë e demokracisë!”, ta Thaçi gjatë një takimi me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Sipas tij, përçarja brenda kësaj partie opozitare vjen si rrjedhojë e jetëgjatësisë të saj, e cila tashmë në skenën politike është partia më e vjetër e shqiptarëve. Gjatë takimit, Thaçi dhe Haradinaj nënshkruan një memorandum bashkëpunimi. Dy liderët e partive opozitare në Kosovë dhe Maqedoni, memorandumin do t’ua ofrojnë edhe partive të tjera në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Preshevë, pasi atë e shohin si mënyrë për të pasur komunikimin e duhur.

Greqi, Karamanlis do të vazhdojë reformat ekonomike

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis ka bërë të ditur se do të vazhdojë reformat ekonomike në vend. Sipas tij, kriza financiare globale po vinte në rrezik parashikimet buxhetore, por u zotua se do të qëndronte në rrugën e reformave dhe se do të kishte nën kontroll defiçitin buxhetor në vend. Pasi përgëzimit nga Brukseli për uljen e defiçitit buxhetor të GDP-së në 2,8 për qind për vitin 2007, Athina ka rishikuar parashikimet ekonomike më të rëndësishme për këtë vit. “E gjithë kjo situatë i ka vënë në pikëpyetje parashikimet për buxhetin. Ne jemi në dijeni të plotë të vështirësive”,- deklaroi Karamanlis gjatë një fjalimi mbi politikat ekonomike. “Përparësia më e madhe është vazhdimi i konsolidimit fiskal për të kufizuar defiçitin dhe për të ulur borxhin publik që merr më tepër se 10 miliardë euro për interesat”,- shtoi ai.

GJERMANI
Shtainmajer kandidat për kancelar në zgjedhjet 2009

Pas dorëheqjes së kryetarit të partisë Social Demokrate Kurt Bek, në Gjermani krerët më të lartë të kësaj partie zyrtarizuan kandidaturën për kancelar në zgjedhjet e ardhshme më 2009. Ai do të jetë ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtainmajer. Pasardhësi i Bekut pritet të bëhet ish-zevëndëskancelari, Franc Myntefering. Kryesia e partisë vendosi edhe për datën se kur do të zhvillohet kongresi i jashtëzakonshëm i partisë. Deri në atë kohë Shtainmajer do të udhëheqë socialdemokratët.

IZRAEL
Olmert akuzohet për korrupsion
Policia izraelite ka rekomanduar të ngritet një aktpadi kundër kryeministrit, Ehud Olmert, nën akuzat për korrupsion. Akuzat kanë të bëjnë me faktin se Olmert ka pranuar dhjetra mijë dollarë nga një biznesmen amerikan dhe ka marrë rryshfete nga grupet hebreje të cilat donin të udhëtonin jashtë vendit. Rekomandimi i policisë nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të madh në politikën e Izraelit, për shkak se Olmert tashmë ka thënë se do të japë dorëheqje pasi partia e tij “Kadima” do të zgjedhë kryetarin e ri më 17 shtator.

AFGANISTAN

Vriten 2 ushtarë të NATO-s dhe 6 civilë
Një ushtar holandez, një kanadez dhe gjashtë civilë afganë janë vrarë nga shpërthime të veçanta të bombave në rrugë, në jug të Afganistanit. Dy ushtarët ishin pjesë e misionit të NATO-s ISAF. Ata u vranë në provincën e Kandaharit dhe të Uruzganit. Ndërkaq, 6 civilët afganë u vranë, kur autobusi më të cilin udhëtonin, shkeli mbi bombat në rrugë në provincën e Zabulit. Zyrtarët e NATO-s thonë se sulmet me bomba janë shtuar 50 për qind në tetë muajt e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar.

KUBË
Uragani “Ike” shkakton 60 të vdekur

Uragani që po kalon me forcë nëpër Karaibe ka goditur bregdetin lindor të Kubës vetëm një javë pasi një uragan tjetër shkaktoi dëme të konsiderueshme në pjesën perëndimore të këtij ishulli.
Uragani më i fundit, Ike është i kategorisë së tretë dhe shihet si rrezik serioz. Uragani tashmë ka shkaktuar rreth 60 të vdekur në Haiti. Ndërkohë, koordinatori i OKB-së për ndihma Xhon Holms është shprehr se OKB-ja së shpejti dë të bëjë një apel për ndihma ndërkombëtare për Haitin i cili është më i godituri nga uraganet e fundit.

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›