Ministria e Financave i “heq” 30 punonjësit Albanologjisë
Nuk do të ketë vende shtesë të paktën për vitin 2008 sa i përket instituteve në varësi të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Lajmin e bën të ditur për gazetën “Albania”, drejtori i QSA-së prof. Dr. Ardian Marashi. Nuk dihet ende arsyeja e saktë, e refuzimit që nga ana e Ministrisë së Financave i është bërë kërkesës së Qendrës të Studimeve Albanologjike për hapjen e 30 vendeve të reja të punës, ku do të viheshin specialistët përkatës në secilin institut sipas nevojave. Ndoshta justifikimi më i volitshëm për ministrinë do të ishte “nuk e kishim në plan që në fillim të vitit dhe mungon buxheti”, por kur flitet për raste të tilla, gjithçka mund të zgjidhet fare mirë me akordim të një buxheti shtesë, sidomos kur flitet për Albanologjinë, e cila është deklaruar nga vetë kryeministri Berisha, herë pas here si prioritet i qeverisë. Ndoshta nuk e kemi ne të qartë konceptin “prioritet”, por vetëm një të tillë nuk duket se përbën politika e shkuar dhe e tashme, që po ndiqet nga qeveria kundrejt Instituteve të Albanologjisë. Të mos harrojmë se situata ka qenë dhe vazhdon të jetë aq e rëndë sa, arkeologët po punojnë me lista, ose po paguajnë punëtorët me mëditje nga xhepat e tyre. Në këtë aspekt mund të krijohen edhe panorama të tilla, kur specialistët shqiptarë kthehen në “lypësa”, me duart dhe sytë nga arkeologët e huaj që janë brenda këtyre projekteve.
P. GROSI
9 Shtator 2008