E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të relikteve nga varrezat e Finiqit antik



Petrika GROSI
Kushtet mjerane dhe bllokesa e fondeve nga ana e Ministrisë së Financave nuk i pengojnë mesa duket arkeologët shqiptarë që të vazhdojnë punën e tyre kërkimore shkencore dhe ekspeditat e ndryshme që janë planifikuar me stafe vendase apo bashkëpunime me të huajt. Duke nisur që këtë muaj, por edhe gjatë tetorit, disa ekspedita arkeologjike do të kryejnë kërkime arkeologjike dhe do të bëjnë gërmime në disa zona të ndryshme të vendit. E sëfundi, një ekspeditë e përbashkët italo-shqiptare po vazhdon gërmimet e nisura në Finiq, siç deklarohet prej vetë drejtoreshës së Institutit të Arkeologjisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, znj.Shpresa Gjongecaj. Qyteti antik i Finiqit ka një vendndodhje jo më shumë se 15 km larg nga Delvina e sotme. Kjo ekspeditë që do të sjellë zbulime të reja interesante për studiuesit dhe të apasionuarit e historisë e të arkeologjisë mendohet që të mbyllet më 2 tetor. Sipas arkeologes Gjongecaj, më grupin e punës së ekspeditës marrin pjesë 30 persona, përfshi këtu arkeologët e të dyja palëve, (shqiptarë e italianë), si dhe studentët e diplomantët, të cilët po punojnë bash me profesorët e tyre në varrezat antike të qytetit. Ndërkaq, kujtojmë këtu se pjesën e dytë të javës së fundit të këtij muaji do të kremtohet edhe Dita e Trashëgimisë Kulturore. E meqënëse jemi te zbulimet arkeologjike, njëherësh, kohët e fundit janë zhvilluar edhe disa kërkime nënujore nga zhytësit shqiptarë e italianë, të cilët kanë gjetur disa amfora e objekte të tjera antike në zonën e Jonit shqiptar. Këtë sezon sipas drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof dr. Ardian Marashi është planifikuar që të kryhen rreth 16 ekspedita arkeologjike.

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›