E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu dhe Thaçi kundër kushteve të Maqedonisë për njohjen e Kosovës



Kushtet e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski për njohjen e Kosovës janë kundërshtuar nga krerët e vendit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi. Sipas Gruevskit,
njohja do të pasonte vendimin e Prishtinës për pranimin e emrit kushtetues të Maqedonisë. Gjithsesi, krerët e Kosovës janë shprehur optimistë se Maqedonia do të njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës. Dy krerët e Kosovës përsëritën me këtë rast angazhimin për raporte të mira të partneritetit dhe fqinjësisë me Maqedoninë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se e rëndësishme për Prishtinën është që të përcjellë mesazhet e bashkëpunimit me Maqedoninë, e cila konsiderohet fqinj strategjik. “Ne nuk lidhemi kurrsesi me kushtëzime. Për ne është më rëndësi që këto marrëdhënie praktike që janë më Maqedoninë të vazhdojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në këtë kuadër do të vijë edhe momenti i njohjes, por nuk dua ta shënoj me datë se kur do të ndodhë”,- tha Sejdiu. Edhe kryeministri Hashim Thaçi theksoi po të njëjtën linjë politike në raport me Maqedoninë, por ai nuk u përgjigj drejtpërdrejt lidhur me çështjen nëse Kosova është e gatshme të njohë Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. “Do të ketë mirëkuptim ditët e ardhshme nga autoritetet e Maqedonisë edhe më tepër për realitetin në Kosovë. Besoj fuqishëm se Maqedonia si të gjitha vendet e tjera demokratike do të jetë pjesë e njohjes së pavarësisë së Kosovës”-, tha Thaçi. Çështje e rëndësishme mes dy vendeve është edhe çështja e kufirit dhe këto ditë po caktohet vija kufitare në terren.

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›