E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hollivudi dhe objektet simbol të tij

E njëjta gazetë që lexohet në çdo film, i njëjti avion që rrëzohet, si dhe e njëjta lloj birre. Ja produktet imagjinare që Hollivudi përdor në çdo produksion

Në filmat e Hollivudit lexohet e njëjta gazetë prej 50 vjetësh. Misteri i gazetës së shfaqur në dhjetëvjeçarët e fundit në shumë filma dhe një numër të madh serialesh televizive hollivudiane është zbuluar së fundmi. Disa blogerë kanë mbledhur dhjetëra “screenshot” në të cilat protagonistët e filmave apo serialeve shfletojnë të njëjtën gazetë. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një gazetë të vërtetë, por për një nga objektet antike të përdorura nga fabrika e ëndrrave kaliforniane. E njëjta bisedë vlen edhe për birrat, çerealët, librat, cigaret dhe revistat porno: në sheshin e xhirimeve produkte “imagjinare” me të njëjtat firma “imagjinare” janë të pranishme kudo. Dhe nëse rastësisht një tragjedi ajrore bën pjesë në skenarin e filmit apo të telefilmit në fjalë, ai që do të rrëzohet është gjithmonë një avion i “Oceanic Airlines”.

“Misteri në sheshin e xhirimeve”

Nga telefilmat popullorë “Scrubs”, “Six Feet Under”, “Desperate Housewives”, “Malcolm”, e deri tek prodhimet për ekranin e madh si për shembull “No country for old man”, apo spotet për një kompani sigurimi, gazeta që lexohet me shumë interes nga protagonistët është gjithmonë e njëjta. Skenat ku kjo duket qartë janë mbledhur nga disa blogje dhe menjëherë ka nisur të flitet për to në rrjet. Ishte revista online “Slate” ajo që zbuloi “misterin e gazetës në sheshin e xhirimeve” si një nga objektet e destinuara për skenë e prodhuar nga “The Earl Hays Press”, një nga ndërmarrjet më të vjetra të këtij sektori në SHBA.

Prej 50 vjetësh, të njëjtat lajme

Gazeta është shtypur në vitet ‘60 dhe që prej asaj kohe vazhdon të përdoret në të gjitha seritë e Hollivudit. Shfaqja e saj e parë për të cilën ekziston dëshmia është në një seri të “Dallas” në vitin 1991. “The Earl Hays Press”, një kompani kaliforniane që merret me objektet që përdoren nëpër skena të ndryshme të filmave hollivudianë që prej vitit 1925, ofron mundësinë për të “modeluar” faqen e parë për çdo produksion. Pavarësisht nga kjo, për shumë dekada, faqet e brendshme dhe ajo e fundit kanë mbetur të pandryshuara. Për shembull çdokush mund të dallojë qartë foton e një vajze me flokë të gjata në brendësi të faqeve të saj apo titullin “Compromised housing bill sent to president for OK”. Një përdorim ky që mund të çojë edhe në kryerjen e gabimeve të mëdha. Për shembull produksioni i filmit “No country for old man” ka përdorur dy kopje identike. Kështu ndërsa Tommy Lee Jones është duke lexuar njërën, një tjetër krejtësisht identike dallohet qartë mbi tavolinë.

Birra “Heisler”

Motivi i kaq shumë rastësive u sqarua shpejt: produksionet e filmave nuk blejnë gazeta të vërteta për shkak të problemeve me të drejtat dhe për pasojë që lidhen me nevojat e tyre ekonomike. Kështu ata blejnë një numër të madh kopjesh nga “The Earl Hays Press” për 15 dollarë, që mund të përdoren dhe ripërdoren sa herë që është nevoja. Megjithatë kjo ndërmarrje nuk “ndërton” vetëm një gazetë. Në punën e saj përfshihen edhe ato porno, intelektuale, revista thashethemesh me yje nëpër kopertina apo edhe revista për fëmijë. Po përveç gazetave, shoqëria ofron edhe një sërë produktesh të tjera ushqimore me emra imagjinarë: nga birra “Heisler” te cigaret “Morley”.

Ai që bie është gjithmonë avioni “Oceanic”

Në të gjitha filmat dhe telefilmat e Hollivudit përdoren vazhdimisht emra produktesh apo shoqërish të krijuara vetë. Për shembull është tabloidi i famshëm “The New York Ledger” në filmin “Law & Order”, që kërkon të imitojë të famshmen “New York Post”. Pastaj është “Oceanic Airlines”, kompania e shtirur ajrore që shfaqet në shumë filma dhe telefilma. Shfaqja e saj më e famshme është sigurisht ajo te “Lost”, historia e të cilit nis me një aksident ajror të fluturimit 815 që, përgjatë rrugës Sidnei-Los Anxhelos, bie në mes të Paqësorit. Po ashtu kur aktorët bëjnë ndonjë kërkim në internet përdorin gjithmonë motorin e kërkimit “Finder Spyder”.

Një ulërimë për 20 filma

Me siguri shembulli më i njohur që përsëritet prej 60 vjetësh në filmat më të famshëm është “Wilhelm Scream”, një efekt zanor i kopjuar dhe i ripropozuar edhe në ditët e sotme. Bëhet fjalë për një ulërimë akute. Në filma përdoret gjatë konflikteve të zjarrit, betejave apo shpërthimeve. Pikërisht në kohën kur aktori ulërin pasi është goditur, plagosur apo vrarë, lëshon një tingull të ngjashëm me ulërimën e një shqiponje. I regjistruar për herë të parë në vitin 1951 në filmin western “Distant Drums” me Gary Cooper, kur një njeri kafshohet nga një aligator – ai shfaqet në vitet në vazhdim në një numër të pafundmë prodhimesh hollivudiane. Për teknikët e zërit, bëhet fjalë për një lloj hajmalie. Faqja e internetit “Hollywood Lost and Found” e teknikut të zërit dhe gjigandit të kinemasë Steve Lee, ka renditur 200 filma në të cilët është përdorur e njëjta ulërimë: nga “Poltergeist” në sagën e “Star Wars”, nga “Indiana Jones” tek “Batman”, nga “Madagascar”, tek “Iron Man 2”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›