E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundja infektive, shkon në 12 numri i të prekurve

Kukës Gjatë këtyre javëve të fundit, edhe në Kosovë kanë humbur jetën katër persona, kryesisht fëmijë

Ethet hemorragjike të shfaqura në Kukës javë më parë duket se po përhapen gjithnjë e më shumë duke shtuar numrin e personave të sëmurë. Tre persona të tjerë janë shtruar dje në spitalin e Kukësit, në repartin e infektivit, duke e çuar në 12 numrin e pacientëve që po trajtohen nga kjo sëmundje vetëm gjatë një muaji në Kukës dhe Has. Pacientët e fundit janë një burrë 39 vjeç nga Shemria, si dhe dy gra nga fshatrat e Komunës Golaj të Hasit, përkatësisht 35 dhe 50 vjeçe. Siç tregojnë specialistët e repartit të infektivit, simptomat që ata paraqesin janë të njëjta me të sëmurët e tjerë, si marrje mendsh, dhimbje e muskujve, plogështi dhe humbje e fuqisë, gjakderdhje nga goja, si dhe temperaturë. Siç është bërë e njohur, shkaktarë të infektimit me ethet hemorragjike janë insektet si rriqna, brejtësit, ku më i rrezikshëm është miu i bardhë.

Infektivi Kukës

Deri një ditë më parë, në infektivin e Kukësit kanë marrë ndihmën e specializuar 9 persona, ndërsa dy pacientë me sëmundje të avancuar janë dërguar në Tiranë. Mjekët thanë se 3 pacientët e fundit po trajtohen në Kukës dhe ndodhen jashtë çdo rreziku për jetën. Pacientët e sëmurë me ethe hemorragjike po trajtohen me terapi intensive. Nga ana tjetër, në Drejtorinë e Shërbimit Parësor në Kukës thonë se po merren masa për rritjen e sensibilitetit të popullsisë në zonat rurale për t’u mbrojtur nga sëmundjet infektive, si në rastin e etheve hemorragjike.

Vdekja

Në fund të muajit maj 2010, një grua nga Hasi humbi jetën nga ethet hemorragjike. Me gjithë përpjekjet që kishte bërë për ta shpëtuar spitali i Gjakovës dhe ai i Prishtinës, gruaja nuk arriti të përmirësohej, duke humbur jetën për shkak të sëmundjes infektive. Vdekja e saj, siç thonë mjekët, erdhi për shkak të vonesës së njoftimit të sëmundjes. Familjarët e kishin nisur për Gjakovë pas disa ditësh, dhe jo në mënyrë të menjëhershme, fill pas infektimit nga sëmundja vdekjeprurëse.
Mësohet se gjatë këtyre javëve të fundit edhe në Kosovë kanë humbur jetën katër persona, kryesisht fëmijë, për shkak të etheve hemorragjike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›