E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Diagnostikimi në Shqipëri, njësoj si jashtë vendit

Analiza e punës 9-mujore

“Sistemi shëndetësor shqiptar demonstron qartësisht siguri profesionale nga më të lavdërueshmet, krahasuar me vendet e rajonit, por dhe duke e krahasuar me shpenzimin publik që ofrohet për sistemin shëndetësor”, kjo ka qenë deklarata e djeshme e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë analizës së punës 9-mujore në krye të dikasterit. Sipas tij, pavarësisht se punon me fonde në dispozicion relativisht më të pakta se vendet e tjera të rajonit, anëtare të Bashkimit Europian, të cilat për arsye dhe të potencialit të tyre ekonomik shpenzojnë më tepër, sistemi shëndetësor shqiptar ofron përqindjen më të ulët të rajonit të praktikave që konsistojnë në diagnoza të pasakta.

Sipas analizës 9-mujore referuar nga kreu i dikasterit, sistemi shëndetësor përballon disa milionë vizita, ndërsa bëhet e ditur se rreth 93-94% e të gjitha problemeve shëndetësore zgjidhen në sistemin publik. Ministri i Shëndetësisë u ndal dhe në arritje të tjera të këtyre muajve të punës si, nivelet e mbulimit vaksinal, më të lartat në të gjithë rajonin e Ballkanit, duke mbajtur dhe pozicionin e liderit në këtë çështje, por dhe duke shpëtuar mijëra jetë fëmijësh. Shqipëria vazhdon të ruajë një sistem të survejancës së sëmundjeve ngjitëse nga më të mirët në rajon, duke bërë kështu që dhe në këtë çështje të jetë lider, por njëherësh t’u kursejë para taksapaguesve shqiptarë, të cilat në të kundërt do të paguanin patologji të rënda.

Sa i takon fushës së shëndetit publik, Vasili ka qenë i mendimit se këtu ka një gjallërim të praktikave të edukimit dhe promocionit të shëndetit. “Shqipëria ka trashëguar një nivel të edukatës shëndetësore nga më të ulëtit, ndërsa ne sot e kemi ndryshuar në themel këtë mentalitet. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, u jemi qasur disa çështjeve të dhimbshme, siç ka qenë përdorimi i alkoolit dhe duhanit, duke punuar me popullatat e rrezikuara”, theksoi Vasili. L.Mixha

Deklarata e Vasilit:

“Sistemi shëndetësor shqiptar, parësor dhe spitalor, demonstron qartësisht siguri profesionale nga më të lavdërueshmet, por njëherësh ofron nivele nga më të lartat për vendosjen e diagnozës së saktë, ku dhe fillon e mbaron vlerësimi për një sistem. Janë qindra raste të sëmurësh të diagnostikuar në sistemin shëndetësor publik shqiptar, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në vende të ndryshme, por në asnjë rast nuk ka diagnozë që del e ndryshme në një vend tjetër”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›