“Hollynight” ngjit në skenë zërat e mrekullueshëm të artistëve të operas
Në datën 25 dhjetor starton Koncerti i Krishtlindjeve, “Hollynight”
Izaura Ndoj
Performanca artistike dhe koncerte vijnë për publikun kryeqytetas gjatë këtyre ditëve nga Teatri Operas dhe Baletit. Ditët e dhjetorit kanë shënuar një larmi aktivitetesh në skenat e institucioneve kulturore të kryeqytetit, duke sjellë një repertor të pasur për publikun. Të gjithë institucionet kulturore po realizojnë përgatitjet e fundit për të sjellë dhe më shumë ngjyrime kulturore në ditët e fundit të vitit 2009. Janë një sërë koncertesh që sjellin në skenë një performancë artistike nga zërat më në emër të TOB-ës. Gjatë këtij sezoni ka pasur programe dhe shfaqje speciale për festat e fundvitit. Një prej institucioneve, i cili ka dhe më shumë shfaqje këto ditë është Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, i cili për këtë sezon ka pasur një kalendar të pasur artistik gjatë këtij viti, sërish në kalendarin e tij ka përgatitur net të veçanta artistike vetëm për të sjellë një atmosferë festive në kryeqytet. Kështu në datën 25 dhjetor do të startojë Koncerti i Krishtlindjeve, “Hollynight” i cili do të ngjisë në skenë disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare. “Hollynight” vjen nën dirigjimin Dritan Lumshit, dhe me pjesëmarrje të solistëve, kori i T.K.O.B si dhe Kori i Fëmijëve i shkollës “Servete Maçi”. Kori i Teatrit të Operës dhe Baletit do të interpretojë pjesë të zgjedhura me tematikë të festave të fundvitit. Gjatë kësaj nate magjike tingujt muzikorë do të jenë të ndërthurur me zërat e mrekullueshëm të artistëve të operës, të cilët premtojnë për një natë të veçantë. E ndërkohë vetëm disa ditë pas këtij koncerti madhështor në datën 30 dhjetor do të jetë “Grand Ballo”. E cilësuar si një prej aktiviteteve më të rëndësishme të fundvitit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ajo pritet të sjellë një atmosferë të veçantë në skenë për publikun, i cili në këtë mbrëmje do të ngjitet dhe vetë të vallëzojë në skenë, përkrah kërcimtarëve të njohur. “Grand Ballo”, mbrëmja e mrekullueshme e datës 30 dhjetor , kësaj radhe është dhe dhurata që kanë përgatitur drejtuesit e këtij institucioni me rastin e fundvitit. Kjo mbrëmje e veçantë muzikore mbyll dhe sezonin artistik të këtij institucioni, e cila ka vite që zhvillohet në kryeqytetin shqiptar. Është bërë traditë tani që në TKOB prej vitesh në këtë mbrëmje të bazuar në traditën vjeneze, mbizotërojnë valset e Shtrausit. Këtë vit “Grand Ballo” vjen në një mënyrë të veçantë për publikun dhe të ftuarit, që do të jenë pjesëmarrës në të. Në ndryshim nga festat që janë zhvilluar deri tani, kjo mbrëmje është huazuar nga tradita vjeneze e ballove dhe sjell një atmosferë vërtetë mondane. Protagonistët e këtij koncerti do të jenë veshur shumë bukur duke sjellë në skenën e TOKB vërtetë një atmosferë vjeneze balloje. Protagonistët e kësaj mbrëmjeje do të jenë veshur me veshje tradicionale të ballove, ku do të mbizotërojnë fustanet klasike dhe kostumet shik. Por, nga organizatorët është menduar që kësaj mbrëmjeje ti shtohen edhe shumë elementë të tjerë që i kanë munguar edicioneve të mëparshme.
23 Dhjetor 2009