E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferaj: Janar-Nëntor 2009, 36% më shumë vizitorë se në 2008

Dje në mesditë, MTKRS dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit, zhvilluan Analizën Vjetore të Turizmit. Prezantimi u përqëndrua në strategjinë e ndjekur nga MTKRS dhe Agjencia Kombëtare e Turizimit (si insitucion i varur prej saj), duke bërë një përmbledhje të aktiviteteve dhe arritjeve konkrete gjatë vitit që shkoi. Të pranishëm gjatë analizës ishin Ministri Xhaferaj dhe Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Nada Kallciu. Gjatë fjalës së tij Ministri Xhaferi theksoi rëndësinë e Turizmit si një nga burimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe për prioritetin që i është dhen nga Qeveria Shqiptare dhe MTKRS. “Ia vlen të përmendet që viti 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka patur një rritje prej 36% dhe krahasuar me 2005 rritja është 2.5 herë. Qeveria shqiptare në programin e saj, e ka konsideruar zhvillimin e industrisë së turizmit si një nga prioritetet e saj, duke synuar kthimin e vendit në një destinacion të rëndësishme mesdhetar, pёr vet larminë e madhe tё atraksioneve natyrore, kulturore, kulinare e mikpritjen e veçantë“- shprehu Ministri Xhaferaj. Më tej Ministri risolli në vëmendje hapat pozitivë që janë bërë në këtë drejtim si krijimi i një kuadri ligjor për turizmin, i cili rregullon marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike dhe subjekteve private, vendas apo të huaj, që ushtrojnë veprimtari turistike në territorin e Shqipërisë, si një hap mjaft të rëndësishëm për t’i hapur rrugë biznesit. Një nga strategjitë në vazhdim, tha Ministri, është zgjerimi i Turizmit nga turizëm tradicional ku përfshihet ai i diellit dhe rërës, turizmi malor, ekoturizmi, etj, në turizëm kulturor, dhe pikërisht këtij qëllimi i shërbejnë edhe investimet në fushën e trashëgimisë kulturore si edhe krijimi i një drejtorie të përgjithshme të Turizmit dhe Trashëgimisë e cila do të koordinojë më mirë aktivitetin në favor të turizmit, duke rivitalizuar dhe funksionalizuar edhe vetë trashëgiminë tonë të pasur kulturore. Gjatë analizës vjetore Ministri Xhaferaj tërhoqi vëmendjen drejt një koordinimi më të mirë të aktivitetit të Ministrisë, AKT-së dhe Pushtetit Vendor, si faktor i rëndësishëm në efikasitetin e turizmit. Ndërkohë Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj.Nada Kallciu bëri një prezantim të punës së Institucionit që ajo drejton duke e vënë theksin në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›