QSUT, operacionet në zemër rrezikojnë të ndërpriten
Sipas shërbimit të Kardiokirurgjisë kanë mbaruar rezervat minimale me Proteminë. Pa të nuk mund të kryejmë asnjë operacion
Ndërhyrjet kirurgjikale në zemër rrezikojnë seriozisht të ndërpriten duke filluar që nga dita e sotme në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Shkak për këtë është bërë mungesa e Protaminës, medikament ky i domosdoshëm për ndërhyrjet kirurgjikale. Kështu, burime pranë shërbimit të Kardiokirurgjisë pohojnë se i kanë bërë kërkesë Drejtorisë së QSUT-së, të marrin masa të menjëhershme për furnizimin me këtë medikament. Ndërsa burime zyrtare pranë Drejtorisë së QSUT-së pohojnë se presin të lirohen fondet, në mënyrë që të plotësohet kërkesa për medikamente. "Për rreth 500 operacione kardiake në vit, nevojiten plot 1500 pilula me 10 ml Proteminë",- bëhet e ditur në shkresën drejtuar Drejtorisë së QSUT-së nga shërbimi i Kardiokirurgjisë duke shtuar se nëse nuk merren masa për furnizimin, do të ndërpriten operacionet në zemër.
Operacionet kardiake
Janë të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për të kryer operacione në zemër por rezervat duket se kanë ardhur drejt fundit, duke rrezikuar ndërprerjen e këtyre ndërhyrjeve, që realizohen në shërbimin e vetëm publik në vendin tonë. Kështu, shërbimi i Kardiokirurgjisë, me anë të një shkrese i është drejtuar Drejtorisë së QSUT-së për të marrë masa të menjëhershme ndaj këtij problemi. "Na është mbaruar edhe sasia minimale që ndodhej gjendje me Proteminë. Nëse nuk furnizohemi, do të ndërpriten operacionet",- bëhet e ditur në kërkesën e Kardiokirurgjisë drejtuar Drejtorisë së QSUT-së. Ndërkohë kirurgët shpjegojnë se Protemina është medikament në formën e pilulës, që është i domosdoshëm për çdo operacion kardiak, në të kundërt, këto operacione nuk mund të realizohen. Madje specialistët pohojnë se Protemina është medikament spitalor që duhet të merret falas dhe ajo futet me leje importi, çka e bën të vështirë gjetjen e saj në farmaci të ndryshme. Të ndodhur përballë kësaj situate burime pranë shërbimit të Kardiokirurgjisë pohojnë se, për zgjidhjen e problemit nuk duhet të humbet kohë pasi bëhet fjalë për ndërhyrje kirurgjikale që ofrohen vetëm në këtë shërbim publik dhe mungesa e tyre mund të sjellë dëme serioze për pacientët. Gjithashtu në shkresën e drejtuar nga shërbimi i Kardiokirurgjisë shpjegohet se, ky shërbim ka nevojë për 1500 pilula Proteminë, për të realizuar rreth 500 operacione në vit. Megjithatë burime pranë këtij shërbimi pohojnë se, për rastet urgjente do të marrin masa që të mos ndërpriten por për operacionet e planifikuara nëse nuk merren masa për furnizim, nuk do të kenë asnjë mundësi për t'i realizuar ato.