E Diel, 1 Nëntor 2026

Holokausti, Berisha: Shqipëria ishte strehë e sigurt për hebrenjtë

TIRANE-Sot në mbarë botën përkujtohen viktimat e Holokaustit. Kryeministri Sali Berisha duke patur në fokus këtë ngjarje të dhimbshme theksoi se përballë këtij krimi mizor ndaj hebrenjve, Shqipëria nuk u bë palë kurrë me mizorinë, por strehë e të pambrojturve.

“Shqiptarët duke u perkulur me respekt të thellë para kujtimit të viktimave të pafajshme të Holokaustit, por dhe me ndjenjën e mirënjohjes ndaj paraardhësve të tyre, të cilët bënë që kombi shqiptar jo vetëm të mos marrë pjesë në Holokaust, por përkundrazi Shqipëria u shndërrua në një strehë të sigurtë për hebrenjtë që ndiqeshin nga bisha naziste dhe numri i tyre ishte më i madh në fund të Luftës sesa në fillim të saj”, citon Berisha duke shtuar se “Ky qëndrim përbën një bazë solide te miqësisë e bashkepunimit qe bashkon sot kombin shqiptar me kombin hebre, Shqipërine me Izraelin”.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se “kjo kasaphanë e makinerisë së përbindshme të shfarosjes në masë vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë etnike e fetare është sot një apel i fuqishëm për të gjithë njerëzit në mbarë botën për të dënuar cdo formë dhune dhe urrejtje të rracizmit dhe cdo origjine tjetër”.
Sot në mbarë botën, në ditën e Holokaustit u nderua kujtimi i mbi 6 milione viktimave me origjine hebre, mes të cilëve gra, fëmije e pleq, që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›