E Diel, 1 Nëntor 2026

Holokausti, Topi në Shkup takon zv. kryeministrin e Izraelit

SHKUP- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka udhëtuar dje drejt kryeqytetit të Maqedonisë, Shkupit, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të "Qendrës Përkujtimore të Holokaustit" për hebrenjtë maqedonas. Vizita e presidentit Topi u zhvillua me ftesë të homologut të tij, Gjorgje Ivanov.

Në këtë veprimtari të rëndësishme përkujtimore e historike, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim të veçantë me zv/kryeministrin dhe ministrin e Çështjeve Strategjike të Shtetit të Izraelit, Moshe Jalon. Në këtë takim presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke u shprehur se "dy vendet tona dhe popujt tanë, me një histori të gjatë marrëdhëniesh miqësore, ofrojnë mundësi edhe më të mëdha për thellimin dhe forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh".

Në këtë pikë, Topi nënvizoi nevojën për intensifikimin e vizitave të ndërsjella dypalëshe të nivelit të lartë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Nga ana e tij, zv/kryeministri i Izraelit, Moshe Jalon vlerësoi lart marrëdhëniet shumë të mira, të bazuara mbi historinë dhe miqësinë tradicionale mes dy popujve, duke vënë në dukje se "qëndrimi i pashembullt i shqiptarëve për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së errët historike të Holokaustit, kanë mbetur të rrënjosura e të pashlyera në ndërgjegjen e kombit hebre dhe në kujtesën e shtetit të Izraelit", - u shpreh ai. Zyra e shtypit të Presidencës njoftoi ndërkohë se gjatë qëndrimit në Shkup, Topi u takua edhe me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikola Gruevski, homologun malazez, Filip Vujanoviç si dhe me mjaft personalitete të tjera pjesëmarrëse në këtë aktivitet.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›