E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazh për kolegen 30-vjeçare, Erma Zagorçani

Gazetarja 30-vjeçare, Erma Zagorçani, dje pas mesditës, në banesën e saj në Tiranë, ka ndalur frymëmarrjen. Pas një mundimi trevjeçar prej një sëmundjeje mundonjëse, kolegia Zagorçani ka pranuar fatalisht rënien në gjumin e përjetshëm. Iku nga kjo jetë duke lënë si kujtim ndër dhjetëra kolegë dhe disa redaksi të medias shqiptare në Tiranë, jo vetëm mirësinë njerëzore, por në mënyrë spikatëse, virtytin e modestisë fisnike. Erma Zagorçani studioi në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve universitare, nisi punën si reportere në disa institucione mediatike. Me këmbëngulje dhe përkushtim, ajo punoi si reportere e ekonomisë në të përditshmen e njohur "Gazeta Shqiptare", më pas në revistën "Monitor" dhe në të përditshmen "Sot" dhe veçanërisht në televizionin me shtrirje në gjithë hapësirën kombëtare ALSAT. Punën e saj si reportere nuk e ndante prej ambicies për kualifikim të mëtejshëm. Erma ka kryer disa specializime jashtë vendit, për gazetari ekonomike dhe ka pasur një bashkëpunim dhe korrespodencë të pëlqyeshme me disa institucione kualifikuese në lëmë të gazetarisë. Në sajë të përpjekjeve, ajo ka mundur të përfitojë disa certifikime dhe të inkurajohet prej emrave të njohur të gazetarisë ekonomike në vend dhe jashtë tij. Erma Zagorçani ishte një ndër anëtaret pasionante dhe ambicioze të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Largimi i saj i papritur nga jeta ka ndërprerë një ëndërr profesionisteje, por njëkohësisht ka lënë një gjurmë dhimbjeje te komuniteti i gazetarëve të Tiranës. Mungesa e saj do të ndihet mes nesh, si mungesë e një pjesëtareje të një familjeje profesionale, e cila devotshmërisht besonte në misionin e gazetares. Erma e donte jetën dhe vazhdonte të punonte edhe pse prej tre vjetësh përpëlitej në kthetrat e sëmundjes vdekjeprurëse. Në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, familjes së saj dhe gjithë të dashurve të koleges sonë, u shpreh ngushëllimet për këtë humbje të madhe. Hidhërimit të familjes i bashkohet edhe stafi i gazetës "Shqip", të cilët shprehin ngushëllimet për humbjen e koleges.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›