E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazh poetes Alda Merini

Alda Merini ka vdekur në moshën 78 vjeçare, në spitalin San Paolo të Milanos. Vuante së fundi nga një tumor. E lindur, siç shkruan në njërën nga poezitë e saja më të bukura, e kënduar po ashtu nga këngëtarja Milva, më datën 21 në pranverë.... U paraqit për herë të parë në skenën e poezisë në moshën 16 vjeçe.

Në moshën 22 vjeçare botoi përmbledhjen e parë. Poezia e saj gjeti menjëherë ambient të ngrohtë lexuesish e kritikësh e poetësh. Qe një kanakare e Montales, Manganellit, Quasimodos, Pasolinit, të cilëve edhe u ka kushtuar poezi të paharrueshme dashurie e miqësie. E martuar dy herë, nënë e katër fëmijëve. Pas suksesit të parë, vijoi një heshtje njëzet vjeçare. Poetja Merini u përballë gjatë asaj kohe me një sëmundje mendore, e cila e detyroi të shtrihej në çmendinë, duke pësuar kështu fatin e poetit Dino Campana, për të cilin kishte aq admirim.

Në një intervistë për të përditshmen Repubblica, ajo e kishte shpjeguar kështu daljen nga sëmundja: Për mua të shërohem ka qenë një mënyrë e çlirimit nga e kaluara. Gjithçka ka ndodhur shpejt e shpejt. Herën e fundit që isha në institutin që më kuronte nga depresioni, më bëri vaki një gjë se kisha provuar kurrë.

Një mëngjes u zgjova dhe i thashë vetes: çka dreqi po bëj unë këtu? Përnjëmend kështu ka rifilluar jeta ime. Rifillova të shkruaj e bile edhe arrita këtë sukses që kurrë sdo të më kishte shkuar mendja se do ta arrija. Dhe më tej, duke u munduar të sqarojë arsyet e lejueshmërisë, thotë: Tekembramja, poeti ka diçka marrëzore në vete. Për këtë çmendina ka qenë për mua një poemë e madhe dashurie dhe vdekjeje. Tash më bën vaki nganjëherë ta shoh në ëndërr. Jam brenda një vendi të mbyllur dhe i kërkoj çelësat për të dal. Ndoshta mentalisht jam ende në atë vend që më ka mbytur dhe më ka bërë të ringjallem.

Sidoqoftë, Merini i ka pasqyruar këto përvoja nga çmendina në ditarin e saj.

Ndërkohë, një fakt interesant është se Merini nisi të fitojë popullaritetin, pas asaj heshtjeje dhe sëmundjeje, pas disa paraqitjeve në Tv. Kjo bëri që të shiste seri në 20 kopje në vit të përmbledhjeve të saj.

Megjithë suksesin, ajo vazhdoi të përballej me telashe të shumta. I ishin hequr tashmë nga kujdesi fëmijët e saj. Jetonte në një banesë të vogël, të cilën edhe ashtu smund ta mbante në rregull. Edhe ato para që i fitonte, zakonisht i ndante me të pastrehët, të mjerët e rrugëve të Milanos. Ishte, të themi, një lloj engjëlli i ndjeshmërisë, dashurisë, dhembshurisë e ndoshta edhe vetëshkatërrimit.

Pas vdekjes së burrit të parë, shkoi një kohë të jetonte me poetin Michele Pierri (1983), në Taranto. Por, përsëri do ti kthehen vuajtjet mendore. Më 86 kthehet në Milano. Dhe në këtë periudhë të fundit të jetës së saj, shkroi pjesën më të madhe të veprave të saj.
Alda Merini konsiderohet ndër poetët më të mëdhenj të shekullit XX në letërsinë italiane e jo vetëm.

Ndër veprat më të njohura, përmendim:
La Terra Santa, L'altra verità. Diario di una diversa, Vuoto damore, Ballate non pagate, Superba è la notte, Lettere di Pasolini, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›