Homazhe për Selami Lenën, Berisha: Akt kriminal, ligji do ti japë përgjigjen e merituar
Miq, shokë, kolegë, përfaqësues të lartë të policisë së shtetit po zhvillojnë sot homazhe për nder të efektivit të policisë Selami Lena i cili humbi jetën në krye të detyrës.
Homazhet për nder efektivit të policisë i cili u shpall “Dëshmor i Atdheut” po zhvillohen në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.
Homazhe ka zhvilluar sot edhe kryeministri Sali Berisha i cili ka theksuar se ligji do t`i japë përgjigjen e merituar këtij akti kriminal.
Ai shprehu ngushëllimet familjes dhe kolegëve, ndërsa shtoi se, efektivat e policisë kanë mbështetjen më të fuqishme të qeverisë shqiptare.
Berisha po ashtu uroi shërim të shpejtë të kolegut të të ndjerit, Preng Lleshi, i cili është në gjendje të rëndë në spital.
Ngjarja

Një polic i vdekur dhe një tjetër i plagosur në gjëndje kritike për jetën. Ky është bilanci i një aksidenti të rëndë që ka ndodhur mbrëmjën e shkuar rreth orës 23:30 në hyrje të Kamzës, në Tiranë, ku dy efektivet e policisë ishin në shërbim.
Dy efektivët e komisariatit numër 5 janë përplasur nga një makinë e tipit BMW X6 me targa greke, e cila është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pas aksidentit.
Për pasojë ka ndërruar jetë efektivi i policisë Selami Lena ndërsa është plagosur efektivi tjetër i komisariatit nr.5 Preng Lleshi cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak.
Pak minuta pas ngjarjes është gjetur e braktisur në zonën e Laknasit makina e tipit BMV X6 që shkaktoi aksidentin ndërsa rreth 4 orë pas ngjarjes policia ka mundur të arrestojë në vendin e quajtur Katër Rrugëve të Shijakut në Durrës edhe autorin e aksidentit i cili është 37-vjeçari Edmir Koleci është proceduar për vepra të ndryshme penale.
Ndërkohë, Policia e Kryeqytetit vendosi mbrëmë edhe shpërblimin prej 10 milionë lekë të vjetra për cilindo që do të ofronte informacione të sakta lidhur me vendndodhjen e autorit të ngjarjes.