E Diel, 1 Nëntor 2026

5 Maji, Berisha viziton familjet e Azem Hajdarit dhe Idriz Hoxhës

Në Ditën e Dëshmorëve, Kryeministri Berisha, vizitoi familjen e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari dhe të Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha.

Në këto vizita ishin të pranishëm edhe kryetarja e Kuvendit, Ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Prefekti i Tiranës.

Kryeministri Berisha, kujtoi disa nga momentet më të rëndësishme të Lëvizjes së Dhjetorit 90-të dhe rolin vendimtar të Azem Hajdarit në të.

Sot është një ditë e veçantë, dita e nderimit e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë, bënë gjithçka për lirinë. Në histori sa më shumë të hulumtohet, aq më shumë do të pohohet se ato që ka bërë Azem Hajdari për lirinë e shqiptarëve, ato ditë dhjetori të vitit 90-të, nuk i ka bërë kush. Sepse ajo ishte një përballje më e pabarabarta, më e zbuluara, më e hapura. Një përballje që u fitua. Fakti që sot ai është midis nesh vjen mbi të gjitha, nga ai kontribut që ai dha në vitin 90-të. Unë kam bindjen se vepra, kontributi i tij do të shndrisë e shkëlqejë në altarin e lirisë së shqiptarëve, u shpreh Kryeministri.

Më pas, Kryeministri vizitoi familjen e Dëshmorit të Atdheut Idriz Hoxha, Komandat-pilot i Regjimentit të Bazës Ajrore të Rinasit, i rënë në krye të detyrës.

Erdha të shpreh ndermin më të thellë, të përulem me respektin më të madh para kujtimit të bashkëshortit tuaj, babit tuaj, aviatorit trim, atdhetar dhe i përkushtuar. Sot, çdo ndjenjë e mirë, e tërë dashuria e respekti u takon të rënëve për atdhe. Idriz Hoxha qëndron në krye të atyre burrave e grave, djemve e vajzave që u flijuan në emër të detyrës, të dinjitetit. Erdha sot të shpreh nderimin në emër të qeverisë, u shpreh Kryeministri në takimin me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›