Homazhe për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës, Roland Trebicka
Iu dha sot lamtumira aktorit të shquar shqiptar Roland Trebicka i cili u nda dje nga jeta në moshën 66 vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Personalitete te shquara të artit kulturës dhe politikës kanë zhvilluar homazhe në nder të artistit të madh të skenës shqipe. Homazhet për artistin u mbajtën sot nga ora 11:00-13:00 në Teatrin Kombëtar dhe më pas trupi i pajetë i tij u përcoll për në banesën e fundit.
Berisha: Bota e Artit është e zymtë pa të
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar homazhe në Teatrin Kombëtar dhe pas tyre ka dhënë një deklaratë për mediat. Për kreun e qeverisë bota e artit është e zymtë pa artistin Roland Trebicka. “Ditë e dhimbshme, zie e trishtimi për ndarjen nga jeta të një korifeji të vërtetë të artit tonë skenik. Roland Trebicka ishte dhe do mbetet njëri nga artistët më të dashur, më të çmuar më të fuqishëm për shqiptarët.
Askush tjetër si Roland Trebicka nuk u shkri në personazhet e tij. Ai ka jetuar në këto personazhe artistike. Vullneti për jetën i dha forcë atij dhe i dominoi sëmundjes për një kohë jo të shkurtër. Ngushëlloj familjen. Bota e artit është e zymtë pa të”- u shpreh kryeministri. Homazhe ka kryer edhe kryesocialisti Edi Rama dhe ministri i Kulturës Aldo Bumçi.
Nishani: Arti i tij është një shërbim i madh që i bën vendit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të artistit dhe aktorit të shquar Roland Trebicka përmes një mesazhi ngushëllimi drejtuar familjarëve të të ndjerit, në të cilin shkruhet: “Sikur aktori Roland Trebicka të ishte njeri i zakonshëm fjalët e ngushëllimit për ndarjen e tij nga jeta do të ishin më të lehta për t’u zgjedhur e për t’u shprehur. Është rrugëtimi i mundimshëm drejt artit, është jeta dhe vetë personaliteti i artistit të shquar që na bën të mendohemi shumë e të zgjedhim fjalën më të ngrohtë e të denjë për të shprehur dhimbjen dhe respektin e merituar që ia kemi borxh, sepse ajo çka la pas me artin e tij është një shërbim i madh që i bën vendit. Jam i sigurt se familja e tij; bashkëshortja, fëmijët, të afërmit e ndjejnë shumë dhimbjen, por po aq jam i bindur se kjo dhimbje përkthehet në respekt dhe mirënjohje të madhe nga çdo shqiptar që ka pasur dhe do të ketë fatin të ndjekë Rolandin në rolet e tij të mrekullueshme. Jeta e tij e shkurtër është pragu i fillimit të një pavdekësie, të cilin ai e ka merituar dhe ne jemi krenarë për kontributin e tij ndaj artit dhe kulturës shqiptare”, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Presidentit Nishani.
Artisti i shquar shqiptar Roland Trebicka u shua në moshën 66 vjeçare. Aktori i njohur nuk mundi ta fitojë betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej disa kohësh. Aktori i identifikuar me rolin e “Jovan Bregu”, në komedinë “Pallati 176”, ne karrierën e tij 40 vjeçare arriti te skaliste karaktere te shumta ne teatër dhe film. Roli i fundit ne teatër ishte ne shfaqjen “Endrra e Ismail Qemalit” që u ngjit në skene nga regjisori Spiro Duni në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, e ku Trebicka i dha jetë rolit të Seit Beut. Roland Trebicka lindi në Korçë, në vitin 1947. Karriera e tij si aktor filloi me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ndoshta që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar u be ne vitin 1971dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Në 40 vite karrierë ka realizuar një mori rolesh si atë të Xhenarinos te “Magjia e madhe”, Zganarelit te “Don Zhuani”, Hlestakovit te “Inspektori”, për të ardhur më afër në kohë me pjesë si “Si e mposhta Musolinin”, “Pleshti në vesh”, “Magjia e verës së kuqe”, “Berberi i Seviljes”, “Dadot”, etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për çmimin “Aktori më i mirë mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” dhe “Koncert në vitin 1936”. Është nderuar me titullin “Artist i merituar” .