Berisha: Ashpërsim i dënimeve për disa nga format më të shëmtuara të krimit
Ndryshimet në Kodin Penal
Qeveria miratoi dje ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Civil, që lidhen me kalimin e disa kompetencave nga gjykata tek zyra e noterisë. Kryeministri Berisha i konsideroi ndryshimet e bëra të rëndësishme për lehtësimin e ngarkesës e punës së gjykatave, ndërsa njoftoi se së shpejti në mbledhjen e qeverisë do të paraqitet edhe një reformë e thellë në Kodin e Procedurën Penale, për t’i dhënë përgjigjen më të merituar kriminalitetit e formave më shqetësuese të tij si krimi në familje, krimi për gjakmarrje, duke rreptësuar dënimin ndaj tyre. Kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu për nevojën e një ndërgjegjësimi e roli më të madh të madh të shoqërisë në parandalimin e këtyre krimeve.
Kreu i qeverisë tha se pjesë e rëndësishme e kësaj pakete do të jetë edhe ashpërsimi i dënimeve për vrasja e punonjësve të policisë, ndërsa vlerësoi punën e vështirë dhe profesionalizmin e forcave të rendit. “Një paketë ndryshimesh në Kodin Civil, e cila paraprin paketën e ardhshme të ndryshimeve të Kodit Penal, është paraqitur nga Ministria e Drejtësisë pas konsultimeve të gjera me të gjithë institucionet e sistemit, avokatinë, noterinë, gjykatat, bankat. Jam i bindur se kjo paketë synon të zhdërvjelltësojë punën e këtyre institucioneve, heq një volum të jashtëzakonshëm e të pamerituar pune në gjykatë dhe transferimin e këtij vëllimi pune në zyrat e noterisë, falë sistemeve më moderne dixhitale që kemi vendosur. Ju e dini se noteria shqiptare funksionon sot si ‘one stop shop’, funksionon me regjistrin dixhital për të gjitha llojet e veprimtarive, përveç testamenteve. Nëse të lë gjyshja një qostek, normal, ajo mbetet në kuti. Kjo ka bërë të mundur ndërhyrje të shkëlqyera në Kodin e Procedurës Civile, që më parë i ngarkonte shumë punën e gjykatave tona. Tani i jepet një frymëmarrje e re, e madhe, por do të ketë gjithashtu mundësi të trajtohen me profesionalizëm më të lartë e në kohën e duhur çështje të tjera. Gjithashtu, së shpejti do të sillet në mbledhjen e qeverisë një reformë e thellë në Kodi dhe Procedurën Penale, për t’i dhënë përgjigjen më të merituar kriminalitetit e formave më shqetësuese të tij. Në qoftë se analizoni kriminalitetin, ju do të gjeni se ka një rritje të disa formave të shëmtuara të krimit, në një kohë që ka rritje shumë të mëdha të forcës goditëse e zbuluese të organeve të rendit. Është shumë e lehtë të përdoresh ekranet e valët e radios për të sulmuar një institucion, që ka arritur sot në lartësinë më të madhe profesionale; është shumë e lehtë të hedhësh baltë mbi burrat e gratë e këtij institucioni, të cilët kanë punën më të vështirë se të gjithë punonjësit e tjetër të administratës. Por ai që analizon me gjakftohtësi, konstaton se ky institucion ka arritur në shkallën më të lartë të zbulimit dhe të goditjes së krimit. Diçka tjetër duhet që shoqëria të bëjë. Nëse burri e konsideron gruan si skllave, që mund ta vrasë kur t’i teket, natyrisht, policia ka vendin e vet, por dytësor, kryesor e ka shoqëria. Ndaj krahas kësaj, ligj që para pak vitesh mezi vepronte, tani do t’i rikujtojë atij që ngre dorën kundër familjarit të vet, se ky është krimi i origjinës dhe është më i keqi i të gjitha krimeve dhe se do të marrë ndëshkimin më të fuqishëm. Ligji do të përshtatet që t’u japë mundësi gjykatësve të japin verdiktet më të rrepta. Po kështu, nëse qëllon kundër një polici, do të kesh dënimin më të rreptë që mund të japin ligjet e reja të vendit. Gjakmarrja ka pasur një rënie dramatike, pavarësisht nga spekulantët që majmen duke fryrë statistikat. Megjithatë ky fenomen ekziston dhe ne do të bëjmë gjithçka që t’u japim dënimet më të rrepta e të shkëputemi nga kjo traditë”.