E Shtunë, 31 Tetor 2026

ENEL, në bisedime për të blerë aksione të gazsjellësit “TAP”

07-03-2013 / Gazeta 55

Kompania gjigante italiane, bisedime me konsorciumin “Shah Deniz”

Shërbimi më i madh energjetik në Itali, ENEL është ende në bisedime për të blerë një pjesë të gazsjellësit Trans- Adriatik (TAP). Sipas burimeve të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve “Reuters”, bisedimet janë në vazhdim. Tetorin e kaluar Drejtori Ekzekutiv i ENEL, Fulvio Conti pati thënë se kompania është e gatshme të blejë një pjesë të gazsjellësit. Duke iu referuar të njëjtave burime, “Reuters” shkruan se ende nuk ka hollësira lidhur me sasinë e aksioneve që ka për synim të blejë, ENEL, por bëhet fjalë për një pjesë rreth 10-20 për qind. Drejtori për Çështjet e Jashtme i TAP, Michael Hoffman nuk ka pranuar të bëjë komente lidhur me çështjen për “Reuters”, por ka thënë se tubacioni mbetet i hapur për të gjithë aksionerët e tij. TAP po konkurron në të njëjtën kohë me projektin tjetër Nabucco West. TAP propozon një rrugë e cila kalon nga Greqia, Shqipëria dhe Italia, ndërsa Nabucco West kërkon  ta transportojë gazin nga kufiri me Bullgarinë, Turqia dhe në Austri. Gazsjellësi TAP do ketë një gjatësi prej 800 kilometrash, ndër të cilat, 478 kilometra do të kalojnë në Greqi, 204 kilometra në Shqipëri, 105 kilometra në detin Adriatik dhe 5 kilometra në Itali. Pika më e lartë e tij do të jetë rreth 1800 metra, në malet e Shqipërisë, dhe ajo më e ulëta, 810 metra nën nivelin e detit, përgjatë kalimit të tij në Adriatik.  Gazsjellësi do të transportojë gaz nga Azerbajxhani në Greqi, Shqipëri, Itali dhe në Europë, fillimisht me një kapacitet prej 10-20 miliardë metra kub në vit, duke furnizuar 7 milionë familje. Dy stacionet kompresorë për të siguruar transportin e gazit përmes tubacioneve, do të jenë ai i Komotinit në Greqi, pranë kufirit turk, dhe një tjetër në Fier.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›