Homazhet, radhë dhe tension politik në ceremoninë mortore
Topalli përplasje me Bashën për fjalimin e rastit, Berisha dhe Topi shtrëngojnë formalisht duart në oborrin e Parlamentit
Dy orë homazhe në hollin e Kuvendit të Shqipërisë nuk kanë mjaftuar që shumë qytetarë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit t’i japin lamtumirën e fundit pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu I, ndërsa kanë shërbyer edhe si takim për përplasje politike. Para se trupi i tij i pajetë të vendosej në hyrjen e Parlamentit, para orës 10:00 të paradites, qindra qytetarë që kishin mbërritur posaçërisht për ceremoninë funebre në kryeqytet, prisnin në hyrje të këtij institucioni, që të kryenin homazhe në nderim të Leka Zogut I. Midis tyre nuk gjeje vetëm të ardhur nga Mati, që është vendlindja e Ahmet Zogut, por edhe nga qytete të tjera afër Tiranës, si Durrësi dhe Kavaja. Ndonëse pjesa më e madhe e të pranishmëve nuk kishin asnjë lidhje me Familjen Mbretërore, respekti për figurën e Leka Zogut I ishte një detyrim moral për ta, që t’i jepnin atij përshëndetjen e fundit. E po kështu, një arsye më shumë për të nderuar vdekjen e Leka Zogut I kishte edhe një familje nga Durrësi, që banonte afër vilës së Familjes Mbretërore në këtë qytet, e cila për shkak të marrëdhënieve të fqinjësisë që kishte krijuar dëshironte të shprehte respektin e saj për pretendentit e fronit mbretëror. Por veç shqiptarëve të Shqipërisë, në homazhet për Leka Zogun morën pjesë edhe shumë mbështetës të tij nga trojet e tjera shqiptare, të cilët vendosën kurora me lule mbi trupin e tij. E më tej, interes për këtë ceremoni kishte treguar natyrshëm edhe një djalë i ri nga Holanda, i cili tregon se nuk kishte njohje me Familjen Mbretërore Shqiptare, por gjatë ditës së premte ai thjesht kishte pasur një komunikim me Princin Leka në rrjetin social facebook, dhe kaq i kishte mjaftuar për të ardhur në Tiranë. Të vendosur në radhë, në krahun e djathë të hyrjes në oborrin e Kuvendit, të gjithë qytetarët kanë pritur, herë pas here edhe duke u shtyrë me njëri-tjetrin, të futeshin në hollin hyrës të sallës së seancave plenare ku ishte vendosur për homazhe trupi i pajetë i Leka Zogut, ndërkohë që për shkak edhe të kohës së kufizuar, sidomos në rastet kur ceremonia zyrtare organizohet nga shteti, pak prej tyre janë kthyer pas për në shtëpi me mision të kryer.
Politikanët
Përkundër kësaj situate, mjaft politikanë dhe personalitete të vendit kanë zhvilluar homazhe në nderim të Leka Zogut I, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet politike mes tyre, ndonëse ishin në ceremoni mortore. Të parët që kanë kryer homazhe kanë qenë ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, e më pas edhe ambasadorja e Britanisë, Fiona Mcllwham. Por, pasi ka kaluar ora e parë e homazheve, prania e politikanëve të vendit në ceremoni është bërë më e shpeshtë, të cilët vinin si me orë të përcaktuar njëri pas tjetrit. Kështu, nga krerët më të lartë të politikës, në ceremoninë homazh të organizuar nga Protokolli i Shtetit ngushëlluan princin Leka dhe familjen e tij, presidenti Bamir Topi; kryeparlamentarja Jozefina Topalli; kryeministri Sali Berisha; kreu i LSI-së Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij; dhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto; ministri i Mbrojtjes, Arben Imami; ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu; kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha; ndërkohë që është vënë re mungesa e përfaqësuesve të lartë të Partisë Socialiste. Në minutat e fundit, rreth orës 11:40 selisë së Parlamentit i janë drejtuar kryeparlamentarja Jozefina Topalli, dhe fill pas saj, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha; kreu i LSI-së, Ilir Meta; presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Në këtë ceremoni, edhe pse mortore, debatet e shumëpërfolura mes kryetares së Kuvendit dhe kreut të Bashkisë së Tiranës janë shfaqur hapur, megjithëse përplasjet mes tyre kanë ndodhur larg kamerave, por në oborrin e Parlamentit. Si shkak nervozizmi për kryeparlamentaren në këtë rast mësohet të jetë bërë fakti që Kuvendi, megjithëse ishte institucioni i zgjedhur për të bërë ceremoninë funebre, nuk ka pasur përfaqësues në komisionin e ngritur nga qeveria për organizimin e saj. Por, veç kësaj, nga njerëzit e pranishëm mësohet se kryetarja e Kuvendit ka shfaqur momente acarimi, pasi mësoi se Protokolli i Shtetit kishte caktuar kryebashkiakun Lulëzim Basha të mbante nga Parlamenti fjalën e rastit, institucioni i ofruar nga Topalli për kryerjen e homazheve. Ndaj, kur kortezhi po nisej drejt varrezave të Sharrës, dhe Topalli ishte një rresht para Bashës në ecje, është vënë re që ministrat, e caktuar nga protokolli për organizimin e ceremonisë shtetërore për Leka Zogun I, të këshillonin kreun e Bashkisë që të mos shqetësohej për këtë përplasje, ndonëse publike. Ndërkohë që pas ceremonisë, gjatë pasdites, në pamundësi për të mbajtur fjalën e rastit në institucionin që ajo drejton, Kuvendi ka publikuar një deklaratë të shkurtër, ku evidentohen arsyet e mbajtjes së homazheve në Kuvend. “Ceremonia e homazheve, e mbajtur sot në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, u bë në shenjë nderimi për historinë e mbretërisë, si pjesë e historisë shqiptare. Kjo ceremoni u zhvillua jo vetëm në nderim të asaj pjese të historisë së Shqipërisë, por edhe si ndjesë për gjithë urrejtjen që diktatura mbolli gjatë gjysmë shekulli, ndaj mbretit Ahmet Zogu dhe Familjes Mbretërore”, - thuhet në deklaratë. Në fund të saj theksohet se kryetarja e Kuvendit shpreh besimin se instancat përkatëse do bëjnë të mundur në 100-vjetorin e Pavarësisë kthimin e eshtrave të mbretit Ahmet Zogu në atdheun e tij.
Topi-Berisha
Gjatë ceremonisë funebre për Leka Zogun I, në oborrin e Kuvendit ka ndodhur edhe një përplasje e dytë politike brenda kampit të Partisë Demokratike. Kështu, edhe kryeministri Berisha dhe presidenti Topi kanë mbërritur njëri pas tjetrit në ceremoni, duke evituar takimin mes tyre. Ndërsa kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kishte kryer homazhet dhe po zbriste shkallët e Kuvendit për të qëndruar në oborrin e këtij institucioni për t’iu bashkuar kortezhit, presidenti Topi ishte duke bërë të kundërtën. Ndonëse në këtë moment ata janë shkëmbyer në një distancë tejet të afërt, asnjëri prej tyre nuk ka bërë qoftë edhe një përshëndetje kortezie, të paktën me shikim. Por, pasi ka dalë nga holli i Kuvendit, presidenti Topi i është bashkuar përfaqësuesve qeveritarë të kortezhit, duke i dhënë i pari dorën bashkëshortes së Kryeministrit, e më pas edhe këtij të fundit. Por, ky shtrëngim duarsh nuk reflekton aspak ndryshimin e qëndrimit ndërmjet tyre, pasi ai ka ardhur si pasojë e zbatimit të rregullave zyrtare. E me këtë rastësi ka përfunduar koha e vënë në dispozicion për vizitat gjatë homazhit, duke nisur me procedurën e përcjelljes së Leka Zogut për në banesën e fundit. Pas homazheve, rreth orës 12:10, arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar, ku prehej Leka Zogu I, është vendosur para godinës së Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e katër komuniteteve fetare, atij mysliman, bektashi, katolik dhe ortodoks kanë mbajtur një lutje secili në mënyrën e vet në nderim të shpirtit të tij. Para nisjes së trupit për në varrezat e Sharrës, fjalën përmbyllëse e mbajti kryebashkiaku Luzim Basha, i cili tha se pas vitesh peripecish Leka Zogu I do prehet në trokën arbërore.
Për gati dy orë të afërm të familjes mbretërore, legalistë, përfaqësues të politikës, qeverisë, shtetit shqiptar, presidentja e Kosovës, të ardhur nga trojet, përfaqësues nga principata të ndryshme kanë bërë homazhe për pretendentin e fronit mbretëror Leka Zogu I.
Rastësia ka bërë që Berisha dhe Topi të shkëmbehen gjatë homazheve në shkallët e Parlamentit, ku të dy i janë shmangur takimit. Vetëm pas disa minutash, ata i janë nënshtruar rregullave zyrtare, ku kanë shtrënguar duart formalisht.
Basha: Familja Zogu nuk negocioi kurrë për kurorën mbretërore
Komisioni për ceremoninë shtetërore ia rezervoi kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, fjalimin e përfaqësuesit të shtetit në përfundim të homazheve. Para nisjes së arkivolit me trupin e pajetë të Leka Zogut I drejt Varrezave të Sharrës, kryetari i Bashkisë mbajti fjalën e rastit, në të cilën theksoi se Familja Mbretërore nuk u bë kurrë vasale e ndonjë perandorie tjetër. “Kurorën e Shqipërisë Familja Mbretërore Shqiptare nuk ia dha askujt. Familja Mbretërore nuk pranoi dhe nuk u bë kurrë vasale e ndonjë perandorie tjetër, ashtu sikundër shumë familje mbretërore bashkëkohëse u bënë. As Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu I, nuk negociuan kurrë, mbas prillit të vitit 1939, Kurorën Mbretërore, duke e konsideruar atë një kurorë të shqiptarëve, të kombit shqiptar. Kjo është një barrë e madhe dhe historike, të cilën Leka Zogu I, me trupin e të cilit ne ndahemi sot, e kreu me nder. Përgjatë një jete të tërë emigracioni të detyruar nga diktatura komuniste, atë e bir, ngado në botë, mbartnin me vete një copë të Shqipërisë, një flamur, një ide kombëtare dhe një emblemë të legjendës së Kastriotëve”, - u shpreh Basha gjatë fjalës së tij. Më tej, edhe në emër të shtetit, ai ka vlerësuar përkushtimin e Leka Zogut I për demokracinë në Shqipëri, për rezistencën kundër diktaturës shfytyruese që shqiptarët përjetonin, që nuk ndahej asnjë çast nga vëmendja e jashtëzakonshme për fatin e Kosovës. “Kosova e shtypur dhe e masakruar, Kosova e martirizuar që përjetonte dhunë dhe shfarosje, ishte një fushëbetejë që princi Leka, e ka zhvilluar me patos atdhetar të veçantë. Qëndrimet e tij, sipas rangut të Familjes Mbretërore, ishin të pranishme në shumë kancelari, në shumë familje mbretërore të mbarë botës, duke u shndërruar në një zë të ndritshëm në vijën e parë të një beteje për interesa të larta kombëtare. Prandaj jemi mbledhur sot këtu. Jo për të vajtuar, ndonëse zemrat i kemi plot pezm, jo të ligështuar, ndonëse ndarja e tij e parakohshme na ka helmuar thellë. Por për të nderuar plot mirënjohje historike dhe krenari kombëtare veprën e Leka Zogut I, bir i Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve. U prehtë i qetë në tokën arbërore! I paharruar qoftë kujtimi i tij!”, - përfundoi fjalimin kryebashkiaku i Tiranës.
Leka Zogu II, mbret brenda 10 ditëve
Brenda 10 ditësh nga vdekja e të atit, Princi Leka, trashëgimtari legjitim i fronit mbretëror, duhet të organizojë një ceremoni ku ta shpallë veten zyrtarisht “Mbret të Shqiptarëve”. Burime nga Familja Mbretërore thonë se për trashëgiminë mbretërore do të zbatohet Kushtetuta e Monarkisë. Në nenin 51 të saj thuhet se “trashëgimi i Fronit Mbretëror i përket djalit më të madh të Mbretit dhe trashëgimia vazhdon brez pas brezi në vijë direkte, mashkull pas mashkullit”, ndërsa në nenin 58 përcaktohet afati kohor brenda 10 ditësh. Sipas Statutit themeltar të Mbretërisë Shqiptare, Leka Zogu II duhet të bëjë betimin: “Unë (emri), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.