E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princ Leka betohet në Sharrë: Do të ndjek rrugën e Mbretit Zog

SHKRUAN: Jonida Tashi 04-12-2011 11:39

Leka Zogu II u betua publikisht para arkivolit të të atit se ai do të ndjekë rrugën mbretërore të të atit dhe gjyshit të tij. Me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, presidentes së Kosovës, Leka Zogu i parë mori lamtumirën e fundit me 3 breshëri armësh nga Garda e Republikës.

Rreth orës 12 e 25 minuta, kortezhi i përmotshëm me trupin e pajetë të Leka Zogut I të mbuluar me kurora me lule është nisur drejt varrezave të Sharrës, ku pretendenti për fronin mbretëror u preh pranë nënës së tij, mbretëreshës Geraldinë dhe bashkëshortes Suzanë. Me arkivolin e thjeshtë të mbuluar nga flamuri kuq e zi, mbi të cilin ishte vendosur kapelia e veshjes mbretërore, kortezhi mortor ka vijuar rrugën për përcjelljen në banesën e fundit të Leka Zogut I. Kortezhi mortor, pjesë e të cilit është bërë kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij znj.Liri Berisha; Presidenti i Republikës, Bamir Topi; kryeparlamentarja Jozefina Topalli; kryebashkiaku Lulzim Basha; presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga etj.; është nisur nga godina e Kuvendit të Shqipërisë, për të vazhduar më pas në bulevardin “Zhanë d’Ark”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Skënderbej”, Rrugën e Kavajës dhe deri te varrezat e Sharrës. Në këtë vend kishin arritur të parët disa familjarë, qytetarë kureshtarë për të parë nga afër varrimin e Leka Zogut I, si dhe trupa ushtarake e nderit, që mbushte me fishekë 6 pushkët model 56 karabinë, që të shkrepeshin në ajër në momentin që arkivoli me turpin e pajetë të Leka Zogut I do të ulej në tokë. E po kështu, ishte përgatitur edhe banesa e fundit e pretendentit për fron, varri i të cilit gjendet përkrah nënës së tij dhe bashkëshortes. Ndonëse mbretëresha, asnjëra prej tyre nuk prehej nën një qivur madhështor, por krejt ndryshe, në dy pllaka të thjeshta të lyera së fundi me gëlqere, e ishin vetëm emrat e tyre me fotot e vjetra bardh e zi që bënin dallimin nga emrat e zakonshëm që prehen në Sharrë. Përpos thjeshtësisë së gurëve mbi varrin e dy mbretëreshave, mungonte edhe zbukurimi i tyre, madje tashmë mbi pllakat e gurit kishte mbirë bari, që nuk ishte shkulur as me këtë rast. E megjithë këtë, pjesa e tokës rreth e qark varreve të dy mbretëreshave ishte mbuluar me një tapet jeshil, që ishte shtruar enkas për ceremoninë mortore të Leka Zogut I, e po kështu edhe rrugica para tyre. Me kaq merrte fund kurioziteti për varret e mbretëreshave, ndërsa niste ai për varrimin e trashëgimtarit të fronit, që në fakt, ashtu siç edhe Familja Mbretërore kishte bërë të ditur më parë, do të ishte thjesht i zakonshëm, sikurse për Geraldinën dhe Suzanën. Kështu, rreth orës 1:00 turpi i pajetë i Leka Zogut I mbërriti në varrezat e Sharrës, ndërsa e mbanin me duart e mbuluara me dorashka të bardha tetë ushtarakë nga Garda e Republikës. Arkivoli u ul në tokë dhe pasi Familja Mbretërore u pozicionua në rresht, bashkë me përfaqësuesit më të lartë të shtetit, Skënder Zogu, biri i Princit Xhelal Zogu dhe Faika Minxhalli, që është kushëriri i parë i Mbretit Leka, mbajti fjalën e rastit. Njeriu më i afërt i Leka Zogut I, 86-vjeçari Skënder Zogu, i trishtuar nga kjo humbje, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për nderimet e bëra, ndërsa kujtoi se dje ishte 86-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut, ditë në të cilën iku nga kjo botë edhe ushtari i atdheut, siç e cilësoi ai Leka Zogun I, që luftoi me moton “Atdheu mbi të gjitha”. Më pas, 86-vjeçari kërkoi një nderim të veçantë nga dy persona që përfaqësonin ushtrinë shqiptare të Mbretit Leka, që ishin komandant Ylli Spahia dhe oficer Shehat Sheu. Pasi këta dy përfaqësues bënë një nderim të veçantë ushtarak për të ndjerin, fjalën e mori pasardhësi i vetëm i Leka Zogut I, Princi Leka. Në fjalën e mbajtur për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit, Princi Leka II u betua para trupit të tij se do ndjekë rrugën e mbretit Ahmet Zog dhe të pretendentit për fronin mbretëror, babait të tij Leka Zogu I, ndërsa më pas ka marrë edhe kapelen e familjes Zogu, si shenjë për vijimin e rrugës së tyre. “Betohem se do të ndjek rrugën e gjyshit, Ahmet Zogu, dhe rrugën e babait Zogu I”, - deklaroi Princi Leka, që tashmë është zyrtarisht trashëgimtari i fronit mbretëror. Më pas, Garda e Republikës ka shkrepur në ajër në drejtim të veriut 3 herë rresht me breshëri gjashtë karabinat e mbushura me fishekë, dhe paralelisht me këtë moment nderimi ka nisur ulja e arkivolit për nën tokë. Të parët që kanë hedhur një dorë dhe mbi të ndjerin duke i dhënë kështu edhe lamtumirën e fundit kanë qenë i biri i tij, Princi Leka me të fejuarën Elia Zaharia, të veshur me rroba të zeza, siç e kërkonte ceremonia funebre. Ulja e arkivolit për në varr është shoqëruar me lutjet nën zë të katër klerikëve fetarë, ndërsa Kori i Kishës së ardhur nga Kosova shoqëroi ceremoninë mortore me himnin e Mbretërisë Shqiptare.

Shpallja e titullit Princ Trashëgimtar

Në bazë Statutit të Vitit 1928, të Mbretërisë Shqiptare, Princi Trashëgimtar i fronit mbretëror është djali më i madh i Familjes Mbretërore. Kështu që ai shpallet trashëgimtar i Fronit Mbretëror mbasi të ketë mbushur moshën 18-vjeçare, nga NMT Mbreti. NTM Leka II, Princ i Shqiptarëve u shpall Trashëgimtar i fronit në vitin 2000, mbas një betimi që ai bëri përpara NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve, në Johanesbug. Nga ajo ditë, ai zgjodhi të ishte NTM Leka II, Princ i Shqiptarëve.

Historia e emrit të NTM Leka II

NTM u pagëzua me emrin Leka nga MSM Susan, Mbretëresha e shqiptarëve. Emri Anëar, NTM Leka II e mori për nder të Presidentit Anëar Sadat i Egjiptit, duke qenë se Presidenti Sadat ishte një mik i mirë i NMT Leka I, Mbret i shqiptarëve. Emrin Reza, për nder të miqësisë që NMT Leka I, kishte me Shahun e Iranit. Emrin Baudoin, NTM Leka II, e mori nga kumbara e Tij, Mbreti Baudoin i Belgjikës. Emri Msiziëe është një titull honorifik (në gjuhën Zulu do të thotë: Njeri i Popullit të Tij), e mori më vonë nga Mbreti i fisit Zulu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›