Honda konfirmon shitjen
Kur mungojnë vetëm tri javë nga starti i Botërorit 2009 në Formula 1, ish-skuadra Honda i shpëton "shkrirjes" dhe do të zbresë në pistë me emrin Braun GP. Lajmi është zyrtarizuar nëpërmjet një deklarate për shtyp nga prodhuesi japonez i makinave. Për kampionatin e ri, që fillon me Çmimin e Madh të Australisë më 29 mars, janë konfirmuar edhe dy pilotët: britaniku Xhenson Baton dhe braziliani Rubens Barrikelo. Skuadra do të drejtohet nga drejtori teknik, tashmë edhe pronari i ri, 54-vjeçari Ros Braun. Braun GP do të përdorë motorë Mercedes, ndërkohë që për paketën e marsheve dhe sistemin hidraulik do të përdoren furnizime nga MekLareni. Në dhjetor të vitit të kaluar, Honda kishte bërë të ditur tërheqjen nga gara për shkak të krizës botërore, duke kërkuar "një blerës të sigurt për skuadrën", përpara se të jepej starti i sezonit. Pas bisedimeve që zgjatën disa muaj, u bë e ditur shitja e plotë e skuadrës, ku drejtuesi i ri do të jetë inxhinieri britanik, Ros Braun. "Pas marrëveshjes së shitjes, skuderia do të jetë në pronësi të Braun, i cili do të bëjë të pamundurën që makina të jetë gati për kampionatin 2009", citonte Honda në një deklaratë. Shifra, për të cilën palët gjetën akordin, nuk është bërë publike. Për një dekadë, nga viti 1996 deri më 2006, Braun ka punuar te Ferrari, në epokën e triumfeve të Mikael Shumaher. Në të kaluarën ai ka punuar edhe me Beneton, Xhaguar dhe Arrous, ndërkohë që te Honda ka filluar punë në sezonin 2007. Makina BGP001 javën e ardhshme do të testohet në cirkuitin e Barcelonës, ndërsa më pas në Jerez.