E Hënë, 2 Nëntor 2026

Panajot Pano, 70-vjetori i lindjes festohet me urdhrin "Nderi i kombit"

Panajot Pano, futbollisti më i mirë shqiptar i shekullit, është dekoruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin "Nderi i Kombit". Edhe pse njihet si një tifoz i flaktë i Tiranës, kreu i shtetit nuk është menduar dy herë për të vlerësuar ish-sulmuesin legjendar të Partizanit dhe kombëtares shqiptare, vetëm pak orë përpara 70-vjetorit të lindjes. Pano bëhet sportisti i parë që vlerësohet me këtë titull të lartë, vendim i cili është mbështetur nga të gjitha institucionet sportive. Përpara personaliteteve të larta të shtetit, përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ish-sportistëve të shquar, drejtuesve të klubeve, trajnerëve dhe gjyqtarëve, legjenda e gjallë e sportit më popullor në vend nuk i ka fshehur emocionet. "Jam jashtëzakonisht i emocionuar për këtë vlerësim, tha ai. Më mirë të kisha luajtur ndonjë ndeshje ndërkombëtare". Pas dorëzimit të Urdhrit "Nderi i Kombit", i cili iu dha Panajot Panos në shenjë vlerësimi dhe nderimi për kontributin e tij, Presidenti i Republikës tha: "Nuk është në traditën time, por nuk mund të rri pa e marrë fjalën në këtë ditë të shënuar për ju personalisht (duke iu referuar ish-sportistit), por edhe për mua. Kam nderin e veçantë që si President i Republikës t‘i jap këtë titull të lartë, për herë të parë, një njeriu që vjen nga bota e sportit. Ka qenë një detyrim institucional, që gjeti konsensus absolut. Të gjithë ishin në një mendje: Panajot Pano realisht ka qenë, është dhe do të jetë nderi i kombit. Ai nuk ka qenë vetëm një personazh brilant i sportit, por edhe një njeri shumë i respektuar, me të gjitha parametrat qytetare".

I lindur më 7 mars 1939, Panajot Pano e ka filluar karrierën si portier në ekipet e moshave të Tiranës (1957-1960), por me kalimin te kushërinjtë-rivalë të Partizanit, u shndërrua në goleador të vërtetë. Ai ka fituar katër herë titullin kampion dhe pesë Kupa të Shqipërisë me të kuqtë, si edhe një herë Kupën Ballkanike në vitin 1970. Gjatë karrierës 18-vjeçare ka luajtur 24 ndeshje me kombëtaren. Pano mbahet mend edhe për golin e parë të kuqezinjve në Evropë, që solli edhe fitoren e parë në sfidat me rivalet kontinentale: në tetor të vitit 1963, në triumfin 1-0 kundër Danimarkës, takim i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Evropian. Në vitin 2005, përveç titullit të FIFA-s, "Lojtari i Shekullit", ai u nderua edhe me titullin "Mjeshtër i Madh i Punës", i akorduar nga ish-presidenti, Alfred Moisiu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›