Maradona rrëfen rilindjen e tij: Kisha vdekur, tani jam i lumtur
"Jam zgjuar në orën katër të mëngjesit për të organizuar Argjentinën time". Diego Armando Maradona "i ri" flet kështu në emisionin "Gol de Medianoche", programin e televizionit argjentinas "TyC Sports". Ai ka bërë të njohur se si ka ndryshuar jeta e tij në një mënyrë të çuditshme dhe tashmë ka marrë një kah gjithnjë për mirë. "Isha praktikisht i vdekur, pas shumë vitesh tashmë ndihem i lumtur. Zgjohem çdo mëngjes me një besim të rinovuar për jetën. Kam rilindur, prandaj mund t‘u them të gjithëve se gjithkush mund të dalë nga bota në të cilën të fut droga". Diego është entuziast në lidhje me pankinën e Argjentinës dhe të grupit të saj të lojtarëve. "Jam i lumtur, i motivuar, tashmë kam një projekt. Lojtarët e mi janë të entuziazmuar nga ideja e ndeshjeve të ardhshme, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit "Afrikë e Jugut 2010". Të gjithë janë profesionistë të mëdhenj dhe mund të qëndrojnë të qetë përballë çfarëdolloj situate në të cilën mund të gjenden". Po ashtu, "ish-Djali i Artë" i futbollit botëror flet edhe për Argjentinën e tij të së ardhmes: "Do të luajë një futboll sulmues, sepse dëshirojmë të rifitojmë publikun, i cili na mungon prej shumë kohësh". Por sigurisht Maradona nuk mund të qëndrojë pa dalë te tipi i tij i zakonshëm i njeriut që prodhon polemika në çdo moment. Këtë radhë sulmon ish-shokun e tij në kombëtare, Valdanon: "Unë shikoj gjithçka, dëgjoj gjithçka. Ai ka deklaruar, se është skandalizuar që mua më besuan drejtimin e kombëtares. Prandaj jam i inatosur me të. Ka njerëz që flasin, kur më mirë duhet të heshtnin".