E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sep Blater, "frikë" nga Premiershipi

Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, është i shqetësuar nga hegjemonia e kampionatit anglez dhe mendon se kjo mund të dëmtojë sportin më popullor në planet. Gjatë një interviste për "BBC Radio 5 Live", kreu i institucionit që drejton futbollin ka lëshuar alarmin. "Premiershipi është pa asnjë pikë dyshimi kampionati më i fortë në botë. Megjithatë, jam i shqetësuar nga hegjemonia e këtij aktiviteti", deklaroi Blater. "Është dukshëm më e fortë se të gjithë turnetë e tjerë botërorë, të cilët e kanë të vështirë që të ruajnë hapin dhe të tentojnë t‘i rivalizojnë". Gjithçka konfirmohet nga paraqitjet e skuadrave angleze në Ligën e Kampioneve. Në sezonin e kaluar, kampionia e Evropës u vendos pas duelit të Mançester Junajted me Çelsin në finale, ndërsa në këtë edicion katër skuadra vazhdojnë garën në 1/8. Përveç lojës së mirë, superioriteti i Arsenalit, Çelsit, Mançester Junajted dhe Liverpulit konfirmohet edhe nga rezultatet e ndeshjeve të para: tre fitore dhe një barazim, tre gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.

Disa prej klubeve në Angli diferencohen nga të gjithë të tjerët edhe për shkak të forcës së madhe ekonomike. Blater nuk i fsheh dyshimet rreth mënyrës sesi funksionon Premiershipi, ku për titull luftojnë vetëm një grup i vogël skuadrash. "Në një aktivitet ku 2/3 apo 3/4 e pjesëmarrëseve nuk luftojnë për të fituar, por për të qëndruar në kampionat, ka diçka që nuk shkon", nënvijëzoi numri 1 i "qeverisë" së futbollit. Që prej vitit 1992, ku u krijua Premier League, titulli kampion është fituar vetëm prej katër skuadrave të ndryshme. Të dhëna alarmante nëse krahasohen me 16 sezonet e mëparshme, ku me formatin e mëparshëm, trofeu ishte fituar nga gjashtë skuadra të ndryshme. Si një tjetër problem shumë i madh cilësohet edhe fluksi i lojtarëve të huaj dhe i pronarëve të huaj të klubeve, të cilët kanë siguruar suksesin komercial të aktivitetit. Blater deklaroi se do të përpiqet të bindë shefin ekzekutiv të Premiershipit, Riçard Skudamor, për të përcaktuar numrin minimal të futbollistëve anglezë që duhet të ketë secila skuadër. Ndërsa për sa u takon investuesve të huaj, presidenti i FIFA-s shpreson se "fluksi" i tyre do të ulet prej krizës botërore. "Do të tentoj ta bind (Riçard Skudamorin), ose t‘i ndryshoj mendimet për rëndësinë që kanë talentet vendas në kampionatin anglez. Përcaktimi i numrit minimal të lojtarëve lokalë në skuadra mund të ngrejë cilësinë e ligës", shpjegoi ai. "Pronarët e huaj, që kanë vërshuar në futbollin anglez gjatë këtyre viteve, padyshim që përbëjnë rrezik. Kjo nuk përputhet me filozofinë e futbollit, por në këtë pikë i kemi duart e lidhura. Ndoshta kriza ekonomike mund të luajë në favorin tonë, pasi investuesit e mëdhenj dhe kompanitë e mëdha do të kenë më pak para për të shpenzuar nëpër skuadra dhe kjo do t‘u hapë rrugën investuesve lokalë, të cilët identifikohen me ekipin e qytetit të tyre". Në fund, Blater ka folur edhe rreth kandidaturës së Anglisë për të organizuar Kupën e Botës 2018, ku nga "Kontinenti i Vjetër" rivalizojnë me vende si Rusia, Spanjë-Portugali dhe Holandë-Belgjikë. "Çfarë avantazhi ka Anglia?", përfundoi ai. Nëse sheh infrastrukturën e stadiumeve dhe organizimin e ndeshjeve me 50 mijë tifozë apo më shumë, mund të them se janë të gatshëm ta organizojnë. Por, ata nuk janë të vetmit në garë për këtë eveniment".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›