E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hopkins: Nuk do dorëzohem deri sa të bëhem 50 vjeç

Pasi theu rekordin e Xhorxh Foremanit, duke u bërë boksieri më i vjetër që ka fituar një nga katër titujt e mëdhenj në moshën 46 vjeç, 4 muaj e 4 ditë, amerikani shpalos objektivat e tij

Bernard Hopkins është bërë boksieri më i moshuar që ka fituar ndonjëherë njërin nga katër titujt më të rëndësishëm të boksit profesionist. Hopkins 46-vjeçar të shtunën mbrëma në Montreal të Kanadasë fitoi titullin e botës në versionin WBC në peshën gjysmë të rëndë, pasi mposhti me vendim unanim kanadezin Zhan Paskal (116:112, 115:113 dhe 115:114). Amerikani Hopkins theu rekordin e Xhorxh Foremanit që kishte fituar titullin e botës në peshën e rëndë, kur kishte 45 vjet e 10 muaj. Foreman pati mposhtur amerikanin Majkëll Murër në vitin 1994. Hopkins arriti të bëhej kampion me 46 vjet, 4 muaj e gjashtë ditë. "Unë nuk do të dorëzohem derisa të mbush 50 vjeç", ka thënë Hopkins. Ai, veç titullit në WBC, ka fituar edhe titullin më pak të njohur IBO.

Ai mposhti kanadezin Paskal, që është 18 vjet më i ri. Madje këtë e bëri në qytetin e kundërshtarit, Montreal, para 17 560 shikuesve. Përballja e së shtunës ishte rimeç mes këtyre dyve, pasi Hopkins kishte barazuar me ish-kampionin Paskal, në Kebek, më 18 dhjetor. "Ai është një kampion i madh. Ai ka një mbrojtje shumë të fortë dhe bën mjaft manovrime. Unë isha kampion i ri. Këto dy luftëra do të më ndihmojnë që të kaloj në nivel tjetër. Unë kam mësuar shumë nga Bernardi dhe stili i tij", ka thënë Paskal.

Hopkinsi ka dhënë më shumë goditje dhe në disa raste gati sa nuk e rrëzoi Paskalin.

"Paskal jep gjithë forcën në çdo goditje. Ai e di se ka një goditje shkatërruese dhe mundohet të mbyllë meçin para kohe. Mirëpo, unë e dija këtë dhe pata kujdes. Prisja të jepte një goditje dhe kundërpërgjigjesha më pas", ka thënë Hopkins. Paskal ishte vetëm 12-vjeçar kur Hopkinsi fitoi për herë të parë një titull të botës në boksin profesionist. Ai e fitoi titullin IBF në kategorinë e mesme në vitin 1995. Hopkinsi në boksin profesionist ka bilanc prej 52 fitoreve (32 KO), pesë humbjeve dhe dy barazimeve. Për Paskalin kjo ishte humbja e dytë në karrierë, ka 26 fitore (16 KO) dhe një barazim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›