Dinamo ka mbërritur në ‘dead-line’
Katër ditë për të vërtetën blu. Tifozët e shumtë të një prej emrave më të mëdhenj të futbollit shqiptar mbajnë frymën me ankth, teksa në kokë u vërtitet ai mendim fatal: a do të kemi vallë fatin e Partizanit? Dinamo u mposht ditën e diel nga Tirana në finalen e Kupës së Shqipërisë që u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Por, përveçse humbi trenin për në Kupat e Europës, Dinamo duket se ka humbur edhe mbështetjen totale të presidencës përpara ndeshjes me Besëlidhjen, e vlefshme për play-out-in e ditës së premte.
Në fakt, edhe premio prej 60 mijë eurosh dukej si një përkëdhelje boshe nga ana e presidentit Sulaj, pasi dihet problematika e pagave që e ka shoqëruar Dinamon që nga fillimi i edicionit. Madje ishte kjo një nga arsyet që blutë e shitën Bakajn pa një pa dy te homologët e Bukureshtit. Por tani, kur po mbërrihet vërtet në finishin e tmerrshëm, Dinamo e ndjen veten të lodhur. E lodhur nga shumë strese të këtij sezoni, por Igli Allmuça u bën thirrje shokëve të skuadrës që të bëjnë edhe një sforco minimale, ta shpëtojnë Dinamon dhe më pas të mendojnë për të ardhmen e tyre. “Është e qartë se skuadra është e demoralizuar pasi dihen sikletet që kemi kaluar, - tregon Igli Allmuça një ditë pas humbjes ndaj Tiranës në finalen e Kupës së Shqipërisë -. Kemi vuajtur në këtë sezon, ndonëse e nisëm shumë. Pastaj ndodhën të gjitha me radhë, duke përfshirë edhe kalimin nga Ministria e Rendit, te MTKRS. Por, unë do t’u kërkoja shokëve të skuadrës që të bëjmë çmos që ta shpëtojmë emrin e Dinamos. Është situata më e rëndë në historinë e klubit, pasi kurrë Dinamo nuk e ka parë veten kaq afër rënies nga kategoria. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Besëlidhjen. Ajo është një skuadër me eksperiencë në superligë dhe vjen shumë e uritur. Ne na duhet vetëm një mund i fundit, të japim maksimumin tonë edhe në një ndeshje”.
Dinamo nuk e di se ku do të luhet
Nëse pak ditë më parë ishte menduar që ndeshja Dinamo-Besëlidhja do të zhvillohej në “Niko Dovana” të Durrësit, tani blutë nuk e kanë të qartë se ku do të zhvillohet ndeshja e vlefshme për play-out. E njëjta histori vlen edhe për Shkumbinin, pasi federata po mendon që ta spostojë ndeshjen Shkumbini-Mamurrasi nga kryeqyteti. Sipas të gjitha gjasave, kjo përballje mund të zhvillohet në Kavajë, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar.