E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karlo Ançeloti ishte shkarkuar që më 8 maj

SHKRUAN: Jeton Selimi 24-05-2011 10:13

Ndonëse tani është zyrtare, aventura e Karlo Ançelotit si trajner i Çelsit kishte përfunduar që më 8 maj, pas humbjes me Mançesterit, por fjalën e fundit, pasi klubi anglez e tha vetëm të dielën, duke shkarkuar teknikun nga detyra që mbylli ciklin e italianit në Premier League. Shkak për këtë është bërë mbyllja e sezonit pa asnjë trofe, ndërkohë që në javën e fundit blutë e Londrës u mundën 1-0 nga Everton, duke finalizuar kampionatin anglez në vendin e dytë me nëntë pikë më pak se kryesuesit e Mançester Junajtid. “Klubi i Çelsit konfirmon prishjen e kontratës me Karlo Ançelotin. Pronari dhe bordi drejtues falenderon trajnerin për punën e bërë deri tani, por rezultatet e sezonit të fundit nuk ishin në linjë me objektivat e skuadrës”, lexohet në komunikatën për shtyp të Çelsit vetëm tre orë pas ndeshjes së fundit të Premier Ligës. Përtej fundit të hidhur, aventura e Ançelotit në pankinën e bluve të Londrës mund të quhet e suksesshme, sidomos në sezonin e parë ku arriti të fitonte titullin kampion dhe Kupën e Anglisë. Por sezoni i dytë në drejtim të bluve nuk ishte aspak pozitiv për teknikun italian. Skuadra e tij humbi betejën me Mançester Junajtid për titull dhe u eliminua pikërisht nga skuadra e Ferguson nga Liga e Kampioneve. Po ashtu, mbi Ançelotin rëndon merkato e dështuar. Çelsi bëri blerjen më të shtrenjtë në historinë e Premier Ligës, duke transferuar nga Liverpuli Fernando Torres-in. Por ky i fundit nuk arriti të ambientohej me skuadrën, duke bërë një paraqitje shumë të dobët në pjesën e dytë të sezonit.

Shkarkimi fut 7.5 milionë euro në xhepat e italianit

Karlo Ançeloti do të marrë 7.5 milionë euro nga Çelsi, që, me gjithë kontratën në fuqi, e shkarkoi. Këtë shumë duhej ta merrte për punën vitin e ardhshëm në ekipin që përfundoi sezonin në vendin e dytë të Premier League. Sajti goal.com njofton se klubi nga “Stamford Bridge” kërkon trajnerin e gjashtë në katër vjetët e fundit dhe se dëshirat e udhëheqësve të Çelsit për këtë post janë Marko van Basten dhe trajneri i Portos, Andre Vilash-Boash, por në pole-position është holandezi Hidink. Ish-trajneri i kombëtares së Rusisë, që e udhëhoqi ekipin nga “Stamford Bridge” për disa muaj, ka lënë një kujtim shumë të mirë te manjati Abramoviç, dhe është pikërisht Gus Hidink emri më i përfolur nga shtypi përtej La Manshit. Megjithatë, pritet që trajneri i ri i Çelsit të dihet deri më 9 korrik.

Tifozët ëndërrojnë rikthimin e Murinjos

Emrat që lakohen janë të shumtë, duke filluar që nga “ujqërit e vjetër”, si Hidink, Redknap apo edhe Mark Hjuxh, e duke përfunduar te të rinjtë e “uritur”, si Andre Vilash Boash apo Xhanfranko Zola. Megjithatë, nëse dikush do të pyeste tifozët e Çelsit, emri më i dashur për ta do të ishte ai i Zhoze Murinjos. Këtë e shkruan “The Sun”, që ka bërë një sondazh me tifozët blu. Megjithatë, për momentin kjo duket e pamundur, sepse portugezi ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë te Real Madridi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›