Presidenti Topi ndez pishtarin e paraolimpikëve
Lojërat Olimpike Speciale u çelën dje, pas një ceremonie të zhvilluar në Presidencë
Lojërat Olimpike Speciale Shqiptare 2011 u hapën të hënën me një ceremoni të zhvilluar në selinë e Presidentit. Me mbështetjen e fuqishme për të katërtin vit radhazi të Fondacionit Vodafone Albania, Lojërat Olimpike Speciale hapen sot dyert me qëllim mbështetjen ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuara intelektuale. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Eugen Wollfarth, Zv/ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth Evans, Zv/ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti, Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania Albi Greva, personalitete të njohura të botës së sportit shqiptar, Presidenti i Olimpikut Special Shqiptar, Ismet Bellova etj Flaka Olimpike që simbolizon hapjen e këtyre Lojërave u ndez nga basketbollistja Mirza Alibegaj në prezencë të Presidentit të Republikës, Z. Bamir Topi dhe përfaqësuesve të Kompanisë Vodafone si dhe një numri të madh mbështetësish të këtyre lojërave. Flaka Olimpike do të qëndrojë e ndezur në datat 23-25 Maj në ambientet e Universitetit të Sporteve në Tiranë, ku do të zhvillohen garat. Në organizimin e tyre, Fondacioni Vodafone Albania bashkëpunon me Olimpikun Special Shqiptar, si edhe një rrjet të gjerë vullnetarësh, bashkëpunëtorësh e miqsh. Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Republikës Z. Bamir Topi tha se ky aktivitet ka krijuar tashmë bazën e traditës së tij dhe se është viti i katërt radhazi që në Institucionin e Presidentit të Republikës, bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje, e cila në vetvete ka një motiv shumë fisnik dhe një motivacion shumë kompleks që do të thotë dëshirë për jetën, dëshirë për garën, dëshirë për pjesëmarrjen, dëshirë për tolerancën, dëshirë për paqen. “Unë natyrisht ju uroj sukses, por suksesin e parë të madh ju e keni arritur! Keni arritur të merrni pjesë dhe pjesëmarrja në vetvete është një sukses i madh. Këto gara, kjo pjesëmarrje natyrisht që kërkon një suport. Suporti i parë natyrisht që është moral, është institucional, por angazhime të tilla kërkojnë edhe suport financiar. Dëshiroj të falënderoj dhe një herë ‘Vodafone Albania’, që me dashuri dhe shumë përkujdesje e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë iniciativë” – shtoi Z. Topi ne fjalën e tij. Këtë vit në Lojërat Olimpike Speciale Shqipëri 2011 marrin pjesë 300 atletë nga i gjithë vendi, të cilët përfaqësojnë 14 skuadra, nga rrethe të ndryshme, në 7 disiplina sportive; futboll, basketboll, çiklizëm, ping-pong, not, atletikë, dhe boëling. Këta atletë i bashkohen më shumë se 2,000,000 atletëve në mbarë botën, në Lëvizjen Olimpike Speciale.