Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik

PRISHTINË, 17 shtator/ATSH/ Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shpjegon se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier thotë se pezullimi duhet marrë seriozisht dhe e cilëson si një “humbje të madhe mundësie” për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.
Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
Qeveria në detyrë e Kosovës i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.
“[Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies”, thotë Hovenier, tani bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.
Hovenier theksoi se pezullimi duhet marrë seriozisht. “Dialogu Strategjik është një instrument diplomatik, që Shtetet e Bashkuara e përdorin për t’i avancuar marrëdhëniet dypalëshe me vende të ndryshme. Ai përfshin diskutime në nivel të lartë mbi një agjendë të gjerë, të përcaktuar paraprakisht”, shtoi ai.
Sipas tij, Dialogu Strategjik do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. “Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë”, vuri në dukje ish-ambasadori.
“Nëse lexoni deklaratën e SHBA-së, atë të lëshuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në kohën kur është bërë njoftimi, është e qartë se ky vendim është marrë nga autoritetet e Uashingtonit, si rezultat i perceptimit të tyre se Qeveria e kryeministrit në detyrë [Albin] Kurti nuk po bashkëpunon mjaftueshëm. Ato konsiderojnë se, pavarësisht këshillave, sugjerimeve dhe përpjekjeve të SHBA-së, kryeministri dhe Qeveria e tij në detyrë vazhdojnë të ndërmarrin veprime që, sipas Shteteve të Bashkuara, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht në sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha Hovenier i pyetur se cili është mesazhi që përçohet.
“Një gjë që kam vënë re në postimet në rrjetet sociale dhe deklaratat e tjera të zyrtarëve, është se disa po përpiqen ta minimizojnë këtë. Disa thonë se Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës ende kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, por kjo, thjesht, nuk është e vërtetë. Nëse gjithçka do të ishte mirë, nuk do të kishte pasur nevojë për këtë vendim për të pezulluar Dialogun Strategjik – përkohësisht ose për një kohë të pacaktuar”, tha ai.
“Kjo tregon se administrata e Trumpit u frustrua aq shumë sa ndjeu se duhej të ndërmerrte veprime, sepse deklaratat publike nuk mjaftonin për ta rikthyer marrëdhënien siç donte”, shtoi ish-ambasadori Hovenier.
Ai shtoi se deklaratat e Kurtit për Kushtetuesen ishin shkaku kryesor. “Por, nuk ishte vetëm reagim ndaj kësaj. Ishte reagim pas një serie përpjekjesh nga zyrtarët amerikanë në këtë administratë, përfshirë një vizitë së fundmi të zyrtarit të lartë të Zyrës për Çështjet Evropiane, Brendan Hanrahan, në Prishtinë, ku ai u takua me presidenten [Vjosa] Osmani dhe kryeministrin [në detyrë] Kurti, për të diskutuar se si të përmirësohet marrëdhënia”, tha ish-ambasadori. /rel/