BRUKSEL – BE e shqetësuar për pjesëmarrjen e Indisë në manovrat ushtarake “Zapad 2025”

BRUKSEL, 17 shtator /ATSH-DPA/- Planet e BE-së për një bashkëpunim më të ngushtë me Indinë janë lënë në hije – pas pjesëmarrjes së fundit të vendit në manovrat ushtarake ruso-bjelloruse “Zapad 2025”.
“Veprimet e Indisë po shkaktojnë shqetësim të madh”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas, në Bruksel.
Blloku ngriti pyetje se pse India po merrte pjesë në manovra, që potencialisht kërcënonin shtetet e BE-së nëse vërtet ajo kërkonte marrëdhënie më të ngushta me BE-në.
Së bashku me komisionerin e Tregtisë Maros Sefcovic, Kallas paraqiti një strategji në Bruksel, që synon të forcojë ndjeshëm bashkëpunimin me Indinë – edhe në sfondin e politikave proteksioniste të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Megjithatë, tani është e paqartë nëse ky qëllim mund të arrihet. Bisedimet mbi një marrëveshje të planifikuar të tregtisë së lirë kanë qenë gjithashtu të ngadalta kohët e fundit.
Sefcovic tha se në raundin e fundit të negociatave javën e kaluar ishte bërë më pak progres sesa shpresohej.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Nju Delhi, India dërgoi 65 ushtarë për të marrë pjesë në manovrat ushtarake “Zapad 2025”, e cila përfundoi dje.
Sipas informacioneve të NATO-s, gjatë manovrave u zhvilluan edhe operacione ushtarake që mund të vendoseshin në rast të një sulmi ndaj shteteve në lindje të BE-së.
Manovrat u zhvilluan në Bjellorusi dhe Rusi, si dhe në Detin Baltik dhe Detin Barents.//a.i/