E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOPENHAGË – Danimarka synon blerjen e armëve me rreze të gjatë veprimi për t’u mbrojtur nga Rusia

KOPENHAGË, 17  shtator /ATSH-DPA/ – Vendi anëtar  i NATO-s, Danimarka, po planifikon të sigurojë për herë të parë armë me rreze të gjatë veprimi si mjet parandalues kundër Rusisë.

Kryeministrja Mette Frederiksen, ministri i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen dhe ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen njoftuan sot vendimin, por nuk dhanë detaje mbi llojin, koston ose afatin kohor.

Frederiksen e përshkroi lëvizjen si “një ndryshim në politikën e mbrojtjes së Danimarkës”. “Qëllimi,  është të sigurohet një mjet i besueshëm pengues kundër sulmeve ndaj Danimarkës dhe NATO-s në tërësi”, tha ajo.

Sipas kryeministres, “vlerësimet e inteligjencës tregojnë se nuk ekziston rrezik i menjëhershëm i një sulmi ushtarak ndaj Danimarkës, edhe pse Rusia përbën një kërcënim real për NATO-n në përgjithësi”.

Në sfondin e luftës së gjatë të Rusisë kundër Ukrainës, Danimarka ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj të mbrojtjes për një kohë.

Zyrtarët do të shqyrtojnë tani tregun për armë saktësie dhe do të vendosin opsionin më të përshtatshëm për nevojat e Danimarkës.

“Këto mund të përfshijnë raketa ose dronë të aftë të godasin objektiva në territorin e armikut, si vendet e lëshimit të raketave”, tha Lund. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›